Idrizi: Do të përballemi penalisht me FSHF-në, Skënderbeu nuk do të dënohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2017 | 13:24

Idrizi: Do të përballemi penalisht me FSHF-në, Skënderbeu nuk do të dënohet

Çështja “Gjoka”, një hije e keqe që po ndjek nga pas vlonjatët. KAS ka dërguar para dy ditësh në klubin vlonjat një shkresë zyrtare, me anë të së cilës i kërkon të paguajë 20 mijë franga për zhvillimin e gjyqit. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, Sinan Idrizi, teksa konfirmon lajmin, shpjegon se tashmë i duhet të paguajë 70 mijë euro për këtë rast.

idrizi

“Na ka ardhur njoftimi nga KAS për çështjen e Gjokës. Dje (pardje) ka mbërritur një letër, ku thuhet që ne duhet të paguajmë 20 mijë franga nga fondet tona dhe të shkojmë të vazhdojmë gjyqin dhe të japim pretendimet tona.

Një gjyq që nuk është i imi, një detyrim që s’më takon, por që duhet ta paguaj unë. Këtu ka një firmëtar, legal apo ilegal. Unë duhet të shkoj në këto gjyqe, t’i paguaj këto parà dhe të bëhem i keq. Ligjërisht unë duhet të shkoj, pasi unë kam të drejtë të përfaqësoj Flamurtarin, por nëse nuk shkoj, unë ndëshkohem.

idrizi

Para meje ka një marrëdhënie mes Gjikës dhe Gjokës. Tani këtë situatë si do ta zgjidhim? ‘Nuk mban më ujë pilafi’. Ai që e ka krijuar këtë dosje, që është Gjika, vazhdon me filozofinë e famshme të ‘Facebook’-ut dhe kontratat e Arbrit me shokë dhe anashkalon këto probleme.

Dosja nuk është më 50 mijë euro, por është 70 mijë euro, me gjithë pagesën e KAS-it. Kush do t’i paguajë? Kjo është një thikë me dy presa. Këshilli Bashkiak thotë se nuk i njeh.

IDRIZI

Ai që ka firmosur, ka histori ‘Facebook’. Unë çfarë duhet të bëj, pasi nëse nuk e ndjek, e pësoj. 70 mijë euro do të na ikin, ku dhe përse? Por unë kam bindjen se Gjoka nuk e fiton gjyqin në KAS për shkak të dy kontratave”, tha fillimisht Idrizi.

Privatizimi – Administratori kërkon që të përshpejtohet procesi i privatizimit. “Kryebashkiaku Leli ka shfaqur interesimin e tij që ky proces të mbyllet sa më shpejt. Unë e mirëkuptoj kohën e fushatës, por jemi duke pritur që të kalojë dhe kjo valë e nxehtë dhe pas datës 26 procedurat e privatizimit të jenë të gatshme.

E rëndësishme është që po punohet. Ne kemi detyrime si administratorë, por nga ana tjetër s’mund të ndërtoj dot një strukturë për një ekip pretendent, pasi nuk bëj dot transferta financiare. Ne nuk duam vetëm logon, por flas për të gjithë atë që quhet private. Nëse duhet ta bëjmë, hajde, në të kundërt le ta bëjnë të tjerët.

sinan idrizi

Unë ndëshkova veten time me 30% plus muajt e parë. Ne e kemi kaluar limitin e 1.2 milionë dollarëve që në janar dhe ky limit vjetor më krijon probleme të mëvonshme. Që t’i mbyllim këto histori, duhet një dritë e madhe, që të jemi korrekt me pagesat”, u shpreh ai.

FSHF – Sinan Idrizi deklaron se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj FSHF për 6 pikët e hequra dhe për prishje të imazhit të klubit. “Unë do të pres çfarë do të bëjë Komisioni i Etikës më datë 23. Ne do të përballemi penalisht me FSHFnë.

Po pres që institucioni drejtues i futbollit të mbyllë këtë strukturë të konkurrimit të kampionatit dhe ne do të vazhdojmë anën tonë ligjore me të. Unë nuk merrem me Dukën si individ, por a e ka ndihmuar Flamurtarin në luftën kundër ilegalitetit apo jo? I qëndroj çdo firme, por jo pjesës ilegale. Nuk mbaj as respektin më minimal profesional për zotërinjtë që drejtojnë ekipin.

Duka

Janë ata zotërinj, ish-politikanë, ish-struktura të vjetra të atij sistemi dhe këtij sistemi që nuk kanë lidhje me menaxhimin e sportit dhe më shumë me Etikën”, tha Idrizi.

Kreu i klubit vlonjat flet edhe për çështjen e Skënderbeut. “Nuk do të ndodhë asgjë, kundrejt askujt, po të ishte një ngjarje e tillë për Flamurtarin, vendimin do të ishte marrë që para dy vitesh”, përfundoi kreu i klubit vlonjat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"