Idrizi debat në stërvitje me Lukiçin: Pse ankohesh në gazetë?!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2016 | 11:30

Idrizi debat në stërvitje me Lukiçin: Pse ankohesh në gazetë?!

Administratori i Flamurtarit ka de batuar me tone shumë të larta me mbrojtësin serb pasditen e së mërkurës gjatë seancës stërvitore. E ndërsa ka shkuar që të ndjekë nga afër stërvitjen dhe të takojë ekipin, administratori është “kapur keq” me Lukiç. Shkak është bërë një prononcim që serbi dha për “Panorama Sport”, ku u ankua se ka probleme shëndetësore dhe nuk bën si i dëmtuar.

Sinan Idrizi

Madje ka akuzuar se klubi nuk i është përgjigjur financiarisht për të bërë grafi apo kontrollet mjekësore. Një deklaratë e tillë nuk është pritur mirë nga Idrizi, i cili nuk është rezervuar përballë lojtarit. “Panorama Sport” ka zbardhur edhe debatin mes tyre. Administratori i ka thënë lojtarit se ka prishur imazhin e klubit dhe rrezikon të penalizohet për këtë. Madje i ka vënë në dukje mbrojtësit se ai nuk është i dëmtuar dhe se nuk ka pasur nevojë për ekzaminim mjekësor.

“Slavko, çfarë ishte ai prononcim në gazetë? Pse ankohesh, çfarë pakënaqësie ke? E di që ke prishur imazhin e klubit dhe për këtë ka edhe masa? Ke bërë gabim të madh. Paske qenë i dëmtuar? Kur kështu, pasi unë nuk e di. Të shoh shëndosh e mirë dhe nuk ke pasur nevojë për mjekime, nuk ke qenë i dëmtuar me sa di unë.

Do të penalizohesh për prishjen e imazhit të klubit. Mua nuk më bëni dot presione me mediat, ta harroni këtë. Kush do të rrijë, le të rri, kush do të iki, le të largohet”, mësohet se i ka thënë Idrizi serbit.

Lukiç

Mbrojtësi serb Slavko Lukiç i tha administratorit Idrizi se ai ka qenë i dëmtuar dhe nuk është shtirur si i tillë. Lojtari i ka thënë administratorit se nuk ka pasur mundësi financiare të kryente ekzaminimin shëndetësor.

Lukic Flamurtari

“Nuk është e vërtetë që nuk jam i dëmtuar. Pyesni stafin teknik dhe mjekët. Nuk kam pse të shtirem kot. Nuk kam pasur lekë që t’i kryej vetë kontrollet. Kam pyetur në klub dhe më kanë thënë që duhet t’i bëj me paratë e mia”, është shprehur serbi.

Në prononcimin e tij për “Panorama Sport” pak ditë më parë, Lukiç tha: “Dua t’i sqaroj tifozët e Flamurtarit se nuk është e vërtetë që unë, Bushiç dhe Rniç po bëjmë si të dëmtuar për shkak se s’kemi marrë pagat. Këto i kanë nxjerrë media apo individë që nuk e dinë të vërtetën. E vërteta është që ne kemi probleme dhe jemi të dëmtuar, por kur kemi kërkuar që të bëjmë kontrollet apo dhe grafi, na është thënë që ‘duhet të shkoni e t’i bëni me shpenzimet tuaja’.

Ne nuk duam të rrimë apo të shtiremi, por dhe nuk kemi mundësi që të bëjmë vizitat me paratë tona. Këto duhet të na mbulohen. Nuk përfitojmë aspak nga situata, thjesht dua që dhe tifozët të kuptojnë se çfarë po ndodh me Lukiçin”, ka deklaruar mbrojtësi për gazetën. Prej kohësh, situata në klubin vlonjat është bërë kaotike, pasi futbollistët ende nuk kanë marrë rrogat e këtyre muajve, duke shfaqur edhe pakënaqësi në mënyra të ndryshme.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"