“Identiteti im është Partizani”, Skënder Gega: Paradoks që luajmë në Korçë, dua fitoren ndaj Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2020 | 11:50

“Identiteti im është Partizani”, Skënder Gega: Paradoks që luajmë në Korçë, dua fitoren ndaj Tiranës

Skënder Gega ka folur para ndeshjes së parë të kampionatit, në të cilën nënkampionët e Kukësit do të përballen me Tiranën, kampionen në fuqi. Trajneri i Kukësit u shpreh se për këtë sfidë është i qartë, teksa më tej shton se ka një ekip me kualitete. Gjithashtu, ai pohon se Kukësi aktual nuk ka lidhje me Partizanin e së shkuarës, me të cilin ai arriti të fitonte titullin kampion. Duke parë situatën e bojkotit të gjatë, edhe pse futbollistët nuk kanë pasur aktivitet por ngarkesë psikologjike, tekniku shprehet se edhe në këtë aspekt skuadra është gati.

Gega

E nisni kampionatin përballë kampionëve të Shqipërisë. Çfarë ndjesie ju jep kjo përballje me Tiranën, që për ju ka qenë e veçantë edhe si trajner i Partizanit?

Është e vërtetë, sidomos pas kësaj periudhe që kaluam në futbollin shqiptar dhe ekipet tona në tërësi. Kthehemi në ndeshjen e parë dhe është kundër ekipit kampion. Tashmë dihet, ekip kampion dhe ekip me histori. Kanë vlerat e tyre, por për ne është e rëndësishme të njohim njëri-tjetrin dhe veten tonë, kështu shkojmë me një ndjesi të mirë dhe me objektiva të qartë.

Sa gati është skuadra nga ana psikologjike pas 7 javësh bojkoti?

Ka qenë një periudhë e gjatë pas paraqitjeve në Kupat e Europës dhe ndryshimeve të mëdha që u bënë, besoj se kjo periudhë e gjatë na ka shërbyer sepse kanë ardhur lojtarë të ndryshëm. Ka pasur lojtarë që nuk kanë luajtur për një periudhë të gjatë, kështu që neve na ka shërbyer. Edhe nga ana psikologjike e fizike jemi gati për të luajtur sfidën.

Çfarë ka ndryshuar për ju personalisht në planin taktik, keni ndryshuar dy skuadra…

Pa iu kthyer gjërave mbrapsht, ai grup ishte me shumë kualitet dhe klubi e opinioni sportiv i ka vlerësuar, kështu që edhe unë nuk mund të jem ndryshe. Do të kisha dëshirë të ishin këtu të gjithë, por janë zgjedhjet e tyre dhe ndodhin në një klub futbolli. Ky grup që ka ardhur na bën optimist se është grup i mirë, me kualitet dhe kanë eksperiencë. Jemi munduar të bëjmë një miks mes moshave të reja dhe atyre me të kaluar të mirë. Unë s’kam ndryshuar, kam ndryshuar vetëm uniformën, por mentaliteti është dhe të marr më të mirën nga çdo futbollist është ajo që kërkoj. Është një grup i mirë, edhe nga ana njerëzore, do të na ndihmojë të shkojmë mirë.

Këtë sezon e shikoni si vazhdimin e atij sezoni që ishit me Partizanin apo një fillim të ri dhe çdo gjë nga e para?

Po, besoj se nuk ka të bëjë fare projekti i Kukësit apo ambienti dhe ambiciet me Partizanin, ajo është diçka e kaluar. Kam qenë me fat dhe privilegj të kem qenë pjesë e të kuqve, është identiteti im, sepse unë atje jam rritur dhe kam bërë gjithë karrierën e futbollit. Por, do të bëj po aq shumë edhe me Kukësin, sepse jam profesionist edhe nuk pretendoj të bëhem kuksian menjëherë, por aq kohë sa jam te Kukësi do bëj maksimumin të justifikoj besimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Ky është profesionalizmi, të tjerat do t’ia lëmë kohës.

gega

E ndieni presionin nga drejtuesit?

Po, gjithë ambienti shqiptar është i ngarkuar me presion për vete genin që kemi, jemi emocionalë. I tillë është zanati, është profesioni ynë që të përballosh, të gjesh balancat, tani gjërat janë të qarta, objektivat janë të qartë. Unë jam i qartë për veten time dhe me ekipin, do t’ia lëmë kohës. Kur është bashkëpunimi i mirë, presioni është i kuptueshëm.

Fusha që nuk e keni fikse, sa ju shqetëson?

Kukësi nuk ka dalë me humbje se përderisa është kjo situatë me Koronavirusin, e shoh krejt normale, jo si risk. Kudo që të luajmë do të jemi të barabartë. Stadiumi ku do të luajmë nuk ndikon, paradoks është të shkojë Tirana në Korçë, por situata kjo është. Tani ne si trajnerë nuk ndryshojmë gjë. Do të udhëtojmë dhe do të mundohemi deri nesër (sot) të jemi gati.

Ka pasur shumë kritika për largimet, por Gjici mendon se ekipi aktual është më i mirë se i vitit të kaluar. Ju si mendoni, vërtet është më i fortë si grup?

Unë mendoj se të dyja grupet kanë specifika të ndryshme. Ai grup që ishte, ishte ekip i mirë me lojtarë që kishin vlera dhe dihej potenciali i tyre, por edhe këta që kanë ardhur besoj janë në të njëjtin nivel. Kemi besim se kemi marrë njerëzit e duhur, nuk dua të kthehem mbrapsht se çfarë ka ndodhur. Gjërat dihen. Sot jemi në një situatë të re dhe shpresoj që ky grup të arrijë objektivat që vjet nuk u arritën për arsye të ndryshme. Shpresoj të bëjmë hapin e duhur.

Jeni të plotësuar në prapavijë?

Kemi 23 lojtarë dhe një pjesë e tyre janë me moshë të re, por ne besojmë se kanë potencialin dhe shpresojmë që ata do të rriten shumë shpejt dhe do të jenë pjesë e shëndoshë e grupit. Shumë 19-20- vjeçarë e kanë mbështetjen tonë dhe të rriten sa më shpejt për të na ndihmuar se është kampionat i gjatë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"