“Ibraimi qëndron me ne”, Shkëndija kunj Tiranës për Seferin: S’na mund asnjë në Ballkan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 22:40

“Ibraimi qëndron me ne”, Shkëndija kunj Tiranës për Seferin: S’na mund asnjë në Ballkan

Tregu i futbollistëve shpeshherë shndërrohet në një garë të ethshme mes klubeve. Shumë gjëra luhen pas kuintave, shpesh gjërat edhe ekzagjerohen ose marrin trajta të çuditshme mediatikisht.

Shkendija

Klubi i Shkëndijës së Tetovës, protagonist absolut prej vitesh në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, ka qenë i përfshirë me ose pa dashje në tregun ballkanas dhe kanë qenë të shpeshta rastet kur objektivat i janë kryqëzuar me klube të tjera shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova.

Por, ka pasur edhe raste kur lojtarët apo ishlojtarët e saj kanë qenë në fokusin e më të mëdhenjve në Shqipëri. Rasti i fundit ka qenë ai i Besart Ibraimit, i cili sot është nën kontratë me kuqezinjtë nga Tetova. Interesim për të ka pasur nga Tirana. Po te Shkëndija a janë të gatshëm të heqin dorë nga ylli i tyre? Gazeta pyeti zyrtarin e klubit, Lulzim Imerin, i cili shpjegon se si qëndron e vërteta.

Lulezim Imeri

APELI PËR KORREKTËSI

“Po shohim me kujdes çka shkruhet çdo ditë në mediat në Shqipëri dhe përkundër faktit se natyra jonë e punës nuk është e këtillë, meqë pyesni, ndiejmë nevojën që detyrimisht t’ju përgjigjemi më sinqerisht. Shkëndija ka një projekt afatgjatë në të cilin, përveç sukseseve në pjesën e garave, rëndësi të madhe zë edhe ngritja e imazhit të klubit dhe vendosja e marrëdhënieve korrekte me të gjitha klubet, posaçërisht ato shqiptare.

Prandaj, sinqerisht ndihemi keq që detyrimisht duhet të flasim për të tjerët, por jemi të thirrur duke parë se vazhdimisht përmendet emri i klubit tonë.

Nuk dua të tingëlloj prepotent, por duke respektuar maksimalisht të gjitha klubet, qoftë në Shqipëri, Kosovë dhe këtu në Maqedoni, pa modesti sinqerisht ju them se ndihemi të fuqishëm të marrim cilindo lojtar që duam dhe gjithashtu të mbajmë në ekip secilin që ne vlerësojmë se na hyn në punë”, shprehet për “Panorama Sport” Lulzim Imeri, zyrtar i Shkëndijës.

IBRAIMI, ASET I KLUBIT

Imeri thotë se nuk ka asnjë skuadër në Ballkan që sot mund t’i marrë Shkëndijës së Tetovës një lojtar që ajo e ka nën kontratë. “Ne e kuptojmë nevojën e klubeve të caktuara që me spekulime të ndryshme provojnë ta ulin presionin e opinionit ndaj tyre, por realisht vlerësojmë se duhet të jenë pak më të sinqertë fillimisht me vetveten, pastaj me të tjerët dhe në fund konkretisht edhe me ne. Shembull:

Besart-Ibraimi

Besart Ibraimi ishte i lirë në verën e vitit 2020 kur i skadonte kontrata me ne dhe Shkëndija e bindur për ta mbajtur në përbërje një lojtar që është aset i klubit fitoi garën edhe me skuadra shumë të pasura nga vendet arabe.

Nuk e kuptojmë famën që po bëhet te ju rreth emrit të Ibraimit, duke ditur se është në kontratë me ne dhe askush deri tani, përveç jush, nuk është drejtuar të kërkojë mendimin tonë në kushte kur Shkëndija direkt pyetet për të.

E them sërish me respekt të madh për të gjitha klubet, por sinqerisht nuk shohim një skuadër në Ballkan që mund të marrë një lojtar që është në kontratë me Shkëndijën apo edhe nëse ne e vendosim si qëllim për ta marrë. Natyrisht këtu ka shumë llogari e planifikime dhe ne nuk dalim jashtë kornizave të planeve dhe programit tonë për të ardhmen”, shton Imeri.

“KUNJ” TIRANËS PËR SEFERIN

Ideja se Tirana ka fituar betejën me Shkëndijën për shërbimet e Seferit i bezdis drejtuesit e këtij klubi. Lulzim Imeri tregohet i kujdesshëm dhe nuk e përmend emrin e sulmuesit të Kombëtares, por lë të kuptohet se Shkëndija nuk bën investime në lojtarë vetëm për huazim. Sipas tij, të tjerët mund ta fitojnë betejën me klubin kuqezi, vetëm kur tetovarët vendosin vetë të tërhiqen.

Seferi Tirana

“Jemi përmendur gjithashtu edhe si klub që kemi pretenduar lojtarë të caktuar e që kanë përfunduar në skuadra të tjera dhe sërish nuk merret parasysh diçka me shumë rëndësi. Po, ka ndodhur të kemi folur me lojtarë të caktuar, por ne kemi planet tona dhe nuk mund të lejojmë të bëhemi poligon i futbollistëve për të kthyer formën apo për transferime të ardhshme. Shkëndija ka plane afatgjata dhe kur flasim me lojtarë, nuk mendohet vetëm pjesa ekonomike.

Prandaj, mbase mund të pretendojë dikush se na fiton një garë të caktuar, por kjo mund të ndodhë vetëm sepse ne tërhiqemi në kushte kur nuk na përputhen të gjithë termat e kontratës eventuale, si kohëzgjatja, pronësia jo e plotë e lojtarit e kështu me radhë. Them se i kuptoj klubet që duan me histori të bukura për media të mbajnë vëmendjen apo të ulin presionin, por çdo gjë ka një kufi dhe në radhë parë të paktën për ne është respekti për të tjerët dhe korrektësia në vërtetësinë e asaj që thuhet dhe pretendohet”, përfundoi Imeri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"