“Ibrahimoviç te PSG-ja, për të fituar Champions-in”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2012 | 13:50

“Ibrahimoviç te PSG-ja, për të fituar Champions-in”

Transferimi i Zlatan Ibrahimoviçit te PSG-ja është thjesht çështje orësh. Gjatë ditës së djeshme janë hedhur hapa të rëndësishëm përpara lajmërimit zyrtar të suedezit në Francë. Kontaktet kanë qenë konstante, edhe pse vetëm telefonike, duke qenë se vetë futbollisti është ende me pushime, ndërsa menaxheri i tij Raiola ka qenë në Holandë dhe Leonardo nuk ka lëvizur nga selia parisiene. Por, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka deklaruar se: “Nesër (sot) është dita vendimtare për ardhjen e Ibrës”.
Deklarata e mikut të tij Nga Suedia kanë publikuar një deklaratë të një miku të afërt të sulmuesit, i cili shpjegon edhe arsyet e transferimit të Ibrës te PSGja: “Milani, pasi shiti Tiago Silvën, nuk kishte më asnjë mundësi për të ecur në Ligën e Kampioneve, aq më pak për ta fituar atë. Zlatan e ka shumë për zemër këtë trofe, prandaj duke pasur parasysh përforcimet e PSG-së, ka vendosur që të transferohet në Francë dhe të tentojë ta fitojë Champions-in për herë të parë. Kuqezinjtë nuk kanë më asnjë mundësi të jenë konkurrues në rang evropian”, – mësohet të ketë thënë miku i sulmuesit.
Takimi Një takim i rëndësishëm është zhvilluar pasditen e djeshme në selinë e Milanit. Avokati i Ibrahimoviçit, Vitorio Rigo, ka biseduar me administratorin e deleguar të kuqezinjve, Adriano Galiani, të cilët, sipas thashethemeve të para, përveç detajeve burokratike, kanë diskutuar edhe për kërkesën e Ibrës për të mos u ndarë me mëri mes palëve për këtë largim. Duket si një paradoks, duke pasur parasysh 14 milionë eurot neto në sezon që futbollisti suedez do të përfitojë te PSG-ja gjatë tri viteve të ardhshme. Por, pavarësisht kësaj, Ibra kërkon që t’ia faturojë Milanit dëshirën për ta shitur, që, nga ana tjetër, do të përfitojë 20 milionë euro nga largimi i futbollistit.
Fanella Janë zbuluar edhe detajet e para në lidhje me marrëveshjen mes Ibrahimoviçit dhe Paris Sen Zhermenit. Në fakt sulmuesi suedez, siç ka bërë të ditur e përditshmja franceze “L’Equipe”, ka kërkuar fanellën me numrin 9, që aktualisht e mban Hoarau Guilem. Me fjalë të tjera bomberi nuk ka dashur të mbajë fanellën me numrin 10, të cilën e kishte marrë momentalisht te Milani, pas lamtumirës së Klarens Sedorfit.
Mino Raiola Nëpërmjet faqeve të së përditshmes franceze “L’Equipe” vijnë deklaratat e reja të Mino Raiolës, menaxherit të Zlatan Ibrahimoviçit, në lidhje me transferimin e suedezit te PSG-ja dhe për largimin e kampionëve nga kampionati i Serisë A: “Kur Zlatan të transferohet te PSGja, në Serinë A nuk do të mbetet më asnjë lojtar i nivelit botëror. Me suedezin, kampionati francez do të bëhet shumë më interesant se ai italian. Tifozët do të zbaviten, kjo është e sigurt”.
Përgatiti: KLEJDA HOXHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"