Ibrahimoviç takon Evertonin, Milani acarohet nga pritja. Ja kur do përgjigjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2019 | 11:58

Ibrahimoviç takon Evertonin, Milani acarohet nga pritja. Ja kur do përgjigjet

Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të jetë një temë në rend të ditës te Milan. Pasi Bolonja doli jashtë luftës për shërbimet e tij, Napoli e më pas Evertoni, u përfshinë në të. 

Zlatan Ibrahimovic

Me klubin anglez madje përflitet të jetë takuar edhe Mino Raiola, i cili ka diskutuar ofertën e tyre. Interesi nuk gjen konfirmim nga mediat britanike, aq sa kjo mund të jetë edhe një manovër e menaxherit për të nxitur Milanin të rrisë ofertën prej 6 milionë eurosh për 18 muaj, që i ka dorëzuar pak javë më parë suedezit. Lojtari pritej të zgjidhte “Djallin” dhe njoftimi duhej të vinte në mesin e kësaj jave, por fundjava është pranë dhe 38-vjeçari nuk po njofton qëllimet e tij, aq më tepër që rikthimi në Itali mund të lidhet papritmas me Napolin.

Skuadra jugore ka marrë si trajner Xhenaro Gatuzon, ishshok skuadre dhe mik i Zlatanit. Në konferencën për shtyp, Rino e cilësoi si fantastik dhe nëse De Laurentis pranon të barazojë ofertën e Milanit, skenari mund të ndryshojë. Në favor të Napolit është fakti se shanset për një vend në Champions i kanë më të larta, teksa kundër qyteti bregdetar është bashkëshortja e Ibrës, Helena, e cila e sheh Milanon si destinacionin e duhur për karrierën e lojtarit, por edhe për punën e saj, duke qenë se prej vitesh merret me modë. Duke qëndruar te vendimi i sulmuesit, pikërisht vonesa e përgjigjes së tij thuhet se i ka acaruar drejtuesit në “Casa Milan”, të cilët shpresonin në një kohë më të shkurtuar të arritjes së akordit, madje shpresa kuqezi shkonte deri aty sa të hamendësohej një debutim i Ibrës më 15 dhjetor, pasi pikërisht në sfidën me Sasulon klubi do të festojë 120 vjetorin e themelimit.

NGA SUEDIA – Teksa Boban ka shfaqur interes për bashkëkombësin Manxukiç si një pistë alternative, nga Suedia vinë lajme që nëse konfirmohen, do të shtojnë ende nervozizmin te kuqezinjtë. Sipas Xhenifer Vegerup, Zlatan Ibrahimoviç nuk do të zbardhë të ardhmen e tij së shpejti, madje vendimi mund të shtyhet për në fund të muajit dhjetor.

Gazetarja e njohur suedeze prej 17 vitesh qëndron shumë pranë Ibrës dhe konfirmon se futbollisti nuk ka në program asnjë njoftim, aq më tepër të lidhur me zbarkimin e tij në Itali apo gjetkë. Sipas saj, 38- vjeçari i ka idetë e qarta lidhur me atë që pretendon në përvojën e re, por destinacioni nuk është përcaktuar ende. Me siguri që nuk do të jetë në atdhe, ku dje kanë tentuar t’i sharrojnë statujën në Malmoe.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"