Ibrahimoviç nuk ndalet më, akordi me Milanin firmoset me… rekorde

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 22:28

Ibrahimoviç nuk ndalet më, akordi me Milanin firmoset me… rekorde

Zlatan Ibrahimovic vazhdon të thyejë rekorde, derisa tashmë është futbollisti më i vjetër në historinë e kampionatit italian që arrin shifër të dyfishtë të golave. Bomberi suedez theu rekordin e vendosur nga Silvio Piola para 60 vjetësh, i cili me 38 vite e 127 ditë mbi supe ishte më i moshuari që arrinte këtë kuotë. Pas 6 dekadash ai parakalohet nga Ibrahimoviç, që me 38 vite e 302 ditë vendos një primat të ri për sa i përket moshës së avancuar në Serinë A, duke shënuar gjithashtu dhjetë gola.

ibra kjaer

Sikur të mos mjaftonte kjo, me golin e së shtunës kundër Kaljarit, Zlatan merr vendin e 17-të në historinë e bomberave të Milanit ku qëndron i vetëm në kuotën e 67 realizimeve. Teksa kontrata e re është shumë pranë nënshkrimit, numri 21 do të ketë mundësi që gjatë sezonit të ri të synojë goleadorët e tjerë të historisë së “Djallit”.

KONTRATA – Bashkëpunimit të Ibrës me Milanin i erdhi zyrtarisht fundi të shtunën mbrëma kur pas golit me Kaljarin u vetëshpall në rrjete sociale si “Zoti i lojës”. Që nga sot rinisin kontaktet mes palëve për të gjetur një akord të ri bashkëpunimi. Pas ndeshjes me Kaljarin, sulmuesi është ndalur në “San Siro” me drejtuesit kuqezinj për të diskutuar lidhur me kontratën e re. Më pas, sipas “Sky”, ai ka telefonuar menaxherin Mino Raiola, të cilin e ka udhëzuar për të vijuar diskutimet, teksa nuk përjashtohet një takim i të dyve në Montekarlo, siç ndodhte edhe thuajse dy javë më parë.

Tashmë dihet që sulmuesi kërkon 6 milionë euro në sezon, teksa akordi mund të arrihet edhe me 5 milionë euro, ndërkohë që në të do të përfshihen një sërë bonusesh të lidhura me objektivat ekiporë dhe individualë, çka mund ta çojë vlerën e marrëveshjes deri në 7 milionë euro. Ndërkohë që bisedon me kuqezinjtë, mbetet e hapur mundësia e rikthimit të Ibrës në Suedi e më saktësisht te Hamarbi, klub ku zotëron 25 për qind të aksioneve e ku u stërvit gjatë kohës së ndalesës së Serisë A për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Ibra

GOLA, CR7 DHE MESI – Objektivi i radhës është Daniele Masaro me 70 gola, teksa për të hyrë në panteonin e dhjetë më të mirëve Ibrës i duhet që të shënojë 23 herë gjatë 2020-2021-shit. Në këtë mënyrë do të parakalonte Alberto Bigonin, i cili me 90 golat e tij mban vendin e dhjetë në renditjen e sulmuesve më të mirë të Milanit. Rekordi i radhës i arritur mbrëmjen e së shtunës është ai i dhjetë golave si kuotë minimale në një sezon.

Në fakt, së bashku me Leo Mesin dhe Kristiano Ronaldon, Ibrahimoviç është futbollisti më i moshuar që ka shënuar të paktën 10 gola në pesë kampionatet e mëdha të Europës gjatë këtij sezoni. Nëse shënon sot, do të ishte së bashku me Mesin e Ronaldon, mes lojtarëve të vetëm që kanë realizuar të paktën dhjetë gola në 13 sezonet e fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"