Ibra sulmon argjentinasit pas triumfit në Botëror: U sollën keq, nuk do fitojnë kurrë më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 17:56

Ibra sulmon argjentinasit pas triumfit në Botëror: U sollën keq, nuk do fitojnë kurrë më

Zlatan Ibrahimoviç e ka ndjekur si spektator Botërorin 2022, por ka treguar se ishte i bindur që Argjentina do ta fitonte, për shkak të Lionel Mesit. Sulmuesi suedez, ka treguar për mediat franceze gjatë prezantimit të filmit “Asteriks dhe Obelisk, Mbretëria e Mesme”, ku ai është protagonist, se si e ka përjetuar suksesin e Argjentinës, duke mos u kursyer në kritika.

ibra mesi

“Mesi vlerësohet si lojtari më i mirë në histori, isha i sigurt që do të fitonte. Gjithashtu jam i bindur se Kilian Mbape do të fitojë një tjetër Kupë Bote”, tha fillimisht suedezi.

“Nuk jam i shqetësuar për Mesin. Jam i shqetësuar për të tjerët te Argjentina, pasi nuk do të fitojnë më asgjë. Mesi ka fituar gjithçka dhe do të kujtohet, por pjesa tjetër që u soll keq, këtë nuk mund ta respektojmë. Kjo vjen nga unë, duke folur si një futbollist profesionist i nivelit të lartë, është një sinjal që do të fitosh një herë, por nuk do to kthehesh kurrë të fitosh më. Nuk fitohet kështu”, ishte kritika e Ibrahimoviç për futbollistët e Argjentinës, me siguri duke iu referuar skenave të lojtarëve argjentinas pas triumfit teksa talleshin me kundërshtarët e tyre.

PANORAMASPORT.AL