“Ibra shënon vetëm jashtë, ja pse Pioli më preferon mua”, Zhiru: I lumtur që refuzova Juventusin, tani dua t’i realizoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2022 | 12:36

“Ibra shënon vetëm jashtë, ja pse Pioli më preferon mua”, Zhiru: I lumtur që refuzova Juventusin, tani dua t’i realizoj

Gjashtë gola dhe dy asiste në këtë sezon të parë me Milanin. Statistika këto të shpërndara në 19 prezenca mes kampionatit, Kupës, por edhe Champions-it ku nuk shënoi dot me fanellën kuqezi. Pasi e refuzoi dy vite më parë, Olivie Zhiru është gati t’i shënojë Juves. Nga ana e tij ka faktin që golat si kuqezi i ka realizuar të gjithë në “San Siro”. Momenti i “Djallit” është delikat, por nga lartësia e përvojës së tij, 35-vjeçari francez mezi pret të ndikojë në fitoren kundër një rivaleje të madhe si “Zonja e Vjetër”.

ZHIRU

Në çfarë momenti vjen kjo Milan-Juve?

Pas asaj që ndodhi të hënën kemi filluar të shohim përpara. Natyrisht që gabimet ndaj Specias i analizuam dhe nxorëm mësimet tona. Në futboll nuk mund të fokusohesh për shumë kohë në një humbje sepse duhet kthyer faqe sa më shpejt. Ajo me Juven do të jetë një ndeshje e madhe dhe ne kemi nevojë që të bëjmë një paraqitje niveli. Për t’i mundur nevojitet një provë e jashtëzakonshme.

Ju habit fakti që Juvja nuk është në garë për titull?

Nuk e nisën mirë sezonin, por kjo nuk i bën më pak të fortë. Më duhet ta pranoj se personalisht prisja t’i shihja në garë për titullin, por Juvja mbetet Juve dhe pavarësisht se në fundin e merkatos humbën Ronaldon mbeten një ekip i fortë me elementë cilësorë.

Cilit nga lojtarët bardhezi i druheni më tepër?

Kanë përvojë dhe do të ishte gabim nga ana jonë që t’i nënvlerësonim. Në sulm janë vrastarë dhe përveç Dibalës që po kalon një moment magjik kanë edhe Moratën apo Kenin. Juvja historikisht ka qenë një ekip solid, ndaj e dimë që do të mundohen të bëjnë një paraqitje të lartë.

Bardhezinjtë vijnë nga tetë rezultate pozitive radhazi, ndërsa Milani nga humbja me Specian…

Kjo nuk është arsye që të humbim besimin te vetja, ndaj nuk duhet të lejojmë që dyshimet të na vënë poshtë. Nesër dua të shoh Milanin me dëshirën e zakonshme dhe bujar në fushë pasi synojmë që të rikthehemi te fitorja.

Është e vërtetë që ndaj Specias u rrëzuam keq, por jemi gati të ngrihemi. Është e vërtetë që keni qenë pranë firmës me Juventusin?

Po në verën e vitit 2020 kur ishte Pirlo trajner, por isha unë që vendosa të qëndroja një tjetër sezon te Çelsi. Me sa duket ishte një vendim i drejtë duke qenë se fituam Champions-in.

Sa mund të ndikojë gabimi i arbitrit në Milan-Specia në takimin e nesërm?

Ai e kuptoi menjëherë gabimin dhe i dallohej në fytyrë. Ishte një situatë loje, e cila ndodhi e në nuk mund ta ndryshojmë pavarësisht se duhej të fitonim e ndërkohë humbëm. Tani nevojitet që frustrimin e asaj disfate ta shndërrojmë në energji për përballjen ndaj Juves.

I druheni faktit se humbja e së hënës mund t’ju penalizojë në luftën për titullin?

Jo, sepse faza e dytë sapo ka nisur dhe kemi ende shumë gara ku mund të përfitojmë. Synimi ynë duhet të jetë përballimi i ndeshjeve njëra pas tjerës. Pas humbjes me Specian nuk kemi më “bonuse”, megjithatë nuk është se jam shumë i shqetësuar pasi e njoh vlerën e skuadrës në të cilën bëj pjesë.

Nuk ishte gabimi i parë që arbitrat bëjnë në një ndeshje të Milanit…

E kuptoj ku doni të dilni dhe për hir të së vërtetës nuk e kam kuptuar ende arsyen e golit të anuluar kundër Napolit. Sidoqoftë, ai rast është arkivuar në kujtesën tonë dhe që nga ndeshja e radhës vijojmë ndjekjen tonë ndaj Interit.

Gjashtë gola sezonalë e të gjithë në “San Siro”, ndërkohë që Ibra shënon gjithmonë në transfertë. Mos e keni bërë me fjalë?

(qesh) Kjo ka ndodhur sepse luan një herë ai e një herë unë. Trajneri e di çfarë mund të bëjmë, ndaj kundër Juves do të luaj unë. Duke parë dëmtimet dhe ndalesën për shkak të COVID-it mund të them se jam i kënaqur me ecurinë time në këtë sezon. Rëndësi ka që skuadra të fitojë e unë të jem sa më i dobishëm.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"