“Ibra në Sanremo? Do të humbasë disa…”, flet Pioli: Nuk dështuam në derbi, e mundim Crvenën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 16:00

“Ibra në Sanremo? Do të humbasë disa…”, flet Pioli: Nuk dështuam në derbi, e mundim Crvenën

Milani kërkon të lërë pas krahëve sidomos humbjen me Interin në derbin e kampionatit dhe sot kuqezinjtë do të kërkojnë të kalojnë ndaj Crvena Zvezdës. Për 1/8-at, “Djallit” mund t’i mjaftojë edhe një barazim 0-0, duke parë barazimin 2-2 në Beograd, por trajneri Stefano Pioli kërkon që skuadra e tij të fitojë, për t’i dhënë një kthesë momentit aktual dhe në konferencën për shtyp jep edhe recetën. “Si mundet Crvena Zvezda? Duke u rikthyer që të luajmë si Milani i 2-3 javëve më parë.

Pioli-1

Nuk duhet të demoralizohemi për dy humbje që kemi pësuar së fundmi në kampionat, por si një skuadër e madhe duhet të reagojmë, duhet të rigjejmë qetësi, cilësi dhe ritëm loje. Kjo është receta për të rinisur betejën dhe për t’u kualifikuar për në 1/8-at e Ligës së Europës”, bëri hyrjen e tij Pioli, që më pas vazhdon me temat e tjera. Pa dyshim që pas argumentit Crvena Zvezda, nuk kishte se si konferenca e trajnerit kuqezi të mos niste nga humbja në derbi e për të vazhduar më pas tek Ibra në “Sanremo” e deri te kritikat që ka marrë kapiteni i Milanit, Alesio Romanjoli.

DERBI – “Ne sigurisht që e kemi analizuar derbin me stafin dhe ekipin, kemi luajtur në një nivel të lartë vetëm për 25 minuta. Gabuam në mungesën e intensitetit me topin dhe presingun. Nuk është një dështim, ndaj duhet të qëndrojmë të qetë pas rënies. Pa dyshim që duhet të përmirësohemi, duke vendosur më shumë ritëm dhe kjo duhet të fillojë që nesër”.

KALENDARI – “Nuk shqetësohem. Do të shqetësohesha nëse nuk do ta kaloja turin. Ne kemi kërkuar Europën me vendosmëri, kemi cilësinë dhe burimet për të mbajtur nivelin e lartë edhe duke luajtur çdo tri ditë. Ne i njohim më mirë kundërshtarët tanë dhe ata na njohin më mirë, por loja është brenda mundësive dhe ne duam të ecim përpara”.

MOMENTI – “Ne kishim një rrugë të vështirë, është normale të kemi vështirësi. Ne kemi një pengesë tjetër për të kapërcyer nesër (sot). Ekziston një avantazh i vogël, por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vendosur. Kemi nevojë për një cilësi të lartë performance”.

IBRA NË “SANREMO” – “Unë flas çdo ditë me të, ne kemi bërë programin për javën e ardhshme. Do të humbasë disa stërvitje, por do të luajë. Ai mund ta përballojë këtë presion, në të vërtetë ai nxjerr më shumë arsye prej tij”.

MBRON ROMANJOLIN – “Ne gjithmonë kemi fituar si ekip dhe kemi humbur si skuadër. Nuk më pëlqen loja e ndyrë e gjetjes së një fajtori. Ai është kapiteni dhe ka bërë shumë për ekipin. Duhet të jemi kompaktë dhe të mësojmë nga humbjet, kjo do të na bëjë të rritemi për të ardhmen”, përfundoi trajneri kuqezi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"