“Ibra fantastik”, rrëfehet Brahim Diaz: Rikthejmë në elitë Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2020 | 20:28

“Ibra fantastik”, rrëfehet Brahim Diaz: Rikthejmë në elitë Milanin

Brahim Diaz ka dhënë edhe intervistën e parë për një media italiane. Spanjolli është rrëfyer për “Libero” duke folur për transferimin dhe ambiciet e tij në lidhje me aventurën milaniste. 21-vjeçari ndien presionin e fanellës, por vështirësitë janë pjesë e një “loje” të cilën ai mezi pret ta luajë.

Diaz

Keni marrë 21-shin, por ka zëra që keni kërkuar një tjetër numër te Milani. Si qëndron e vërteta?

Të them të vërtetën, numri im i preferuar është dhjeta. Më ka pëlqyer gjithmonë, por nuk kam kërkuar asgjë askund. Fundja, siç them shpesh, nuk luan numri, thjesht e kam pasur kur isha i vogël. Sidoqoftë, 21-shi që kam marrë më pëlqen shumë sepse e kam pasur edhe te Reali i Madridit.  E zgjodha sepse doja të merrja me vete në Milano të gjithë punën dhe sakrificat e bëra për të arritur në këto nivele.

E ndieni presionin e historisë së klubit?

Pa dyshim që e ndiej, por më pëlqen. Milani është një klub madhështor ku ka presion, ku të kërkohen rezultate, fitore dhe tituj. E vërteta është që dua ta tregoj gjithçka mund të bëj me këtë ekip e të jem vendimtar duke ndihmuar këdo e në çdo mënyrë.

Cili është roli juaj i preferuar? E gjej veten te skema 4-2-3-1, ku mund të bëja fare mirë në secilin prej roleve pas shpinës së sulmuesit. Më pëlqen të luaj në ato zona sepse e di që mund të bëj diferencën sepse mund të sulmoj hapësirat ose të shpik diçka për shokët. Fakti që përshtatem lehtë është shumë pozitiv pasi edhe trajneri ka disa mundësi për të më shfrytëzuar.

Si është të stërvitesh pranë dikujt si Ibrahimoviç?

Është një futbollist i pabesueshëm, por tani që e kam njohur nga afër mund të them se është edhe një njeri i jashtëzakonshëm. Për mua është një nder që të stërvitem pranë tij e që kam trashëguar numrin që Zlatani mbante sezonin e kaluar.

Cilët janë objektivat për këtë sezon të ri?

Le t’i marrim ndeshjet një nga një e të mundohemi të fitojmë sa më shumë pikë. Bilancet do t’i bëjmë në një moment tjetër ku secili do të vlerësohet për kontributin e dhënë. Nga ana ime mund të them se Milani ka një përzierje të përsosur mes të rinjve dhe lojtarëve me përvojë, ndaj mendoj se formula është e duhura për të arritur gjëra të rëndësishme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"