Ibra “çmend” francezët: PSG, super prej Katarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2016 | 10:58

Ibra “çmend” francezët: PSG, super prej Katarit

Zlatan Ibrahimoviçi është gjithnjë i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij, duke thënë mendimin pa rezerva. Për këtë arsye, shpeshherë vihet edhe në qendër të vëmendjes, apo edhe kritikohet. Deklarata e tij e fundit i ka tërbuar francezët. Kur u pyet mbi projektin e PSG-së, ai tha:ibra “Me gjithë respektin që kam për punën që është bërë në të shkuarën, shkëlqimi i këtij klubi nisi tre vite më parë kur Fondi i Katarit vendosi ta blejë dhe të investojë. Ata realizuan brenda tre vitesh atë që Çelsit iu desh një dekadë.

Francezët duhet t’i falënderojnë, pasi pa ta, do ta kishin të pamundur të rrisnin në këto nivele cilësinë e futbollit dhe, mbi të gjitha, në një kohë kaq të shkurtër”. Kjo ka sjellë mjaft pakënaqësi edhe mes tifozëve parisienë. Sa i përket ndeshjes kundër Çelsit, ai shtoi:

“Në takimin e parë nuk ishte Xhon Terri. Por, edhe nëse mungon ai, blutë prapë mbeten një ekip i madh. Ka për të qenë mjaft e vështirë në Londër dhe jemi përgatitur për një sfidë me ritëm të lartë. Nuk mendoj për të shkuarën dhe as për hakmarrje. Jam me këmbë në tokë dhe dua thjesht të fitoj çdo ndeshje pasardhëse”.

Suedezi ka qenë i obsesionuar për të triumfuar në Ligën e Kampioneve, por duket se tashmë është tërhequr disi. “E vërtetë që e doja patjetër atë trofe. Por, me kalimin e kohës e kuptova që nuk është diçka e jashtëzakonshme, pasi jam i lumtur me ato që kam arritur. Është një kompeticion i vështirë. Nuk mund të arrihet sepse ti mund të jesh futbollist i mirë”, deklaroi bomberi i PSG-së.

E ardhmja – “Kam dëgjuar të flitet shumë për mua. Së pari, unë ndihem më i ri se kurrë. Nuk varem aspak nga mosha. Nuk kam menduar për të ardhmen dhe as që të kem biseduar me klube të tjera. E ardhmja është gjithnjë e paparashikueshme. Thjesht dua që të jem i fokusuar te sezoni aktual, për ta mbyllur me sa më shumë trofe”. Në fakt, sot ai mund të jetë përballë atij që është cilësuar lojtari që do t’i zërë vendin te PSG-ja, Diego Kosta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"