“Ia dalim nëse luajmë si me Dinamon”, korçari Çuçka “qan” rastin e humbur: Nuk kursehem më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 23:32

“Ia dalim nëse luajmë si me Dinamon”, korçari Çuçka “qan” rastin e humbur: Nuk kursehem më

Luzi 2008 u thye pas 8 ndeshjesh. Edhe pse prodhoi lojë e raste përballë Dinamos, nuk e shmangën dot humbjen. Foti Çuçka ndihet më shumë se të tjerët përgjegjës, ndërsa kujton atë rast perfekt që shpërdoroi.

LUZI

“U kërkoj ndjesë tifozëve për rastin që humba, por edhe sulmuesit gabojnë… Ajo që di t’u them është se ambicia për të shënuar gola sa vjen dhe shtohet. Falënderoj shokët, të cilët ma bëjnë të mundur që unë të dal para portave kundërshtare”, kështu e nisi 20-vjeçari deklaratën e tij për “Panorama Sport”.

Luzi 2008 këtë fundjavë do të ndeshet me Flamurtarin, ekip, i cili e shtangu që në javë të parë. “Flamurtari nuk është më ai që luajtëm në startin e sezonit. Vijmë pas një ndeshjeje mjaft të mirë dhe nuk kemi nevojë të shpikim ‘rrotën’.

Thjesht të bëjmë lojën tonë si në ‘Selman Stërmasi’, por me një ndryshim: të kemi drejtësi në gjykim dhe fatin me vete. Jemi një ekip në rritje dhe përforcimet e janarit kanë sjellë më shumë konkurrencë. Tani është e vështirë për këdo të mendojë se ka siguruar formacionin dhe kjo sjell motivim shtesë për secilin. Jemi duke u përgatitur fort që edhe ndaj vlonjatëve të zhvillojmë një lojë sulmuese.

Uroj të gabojmë sa më pak. Luzi 2008 do të jetë akoma më i fortë në fazën e dytë dhe mezi presim të kthehemi në shtëpi, ku jam i bindur se nuk do të falim askënd në fushën tonë”, përfundoi autori i 4 golave.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"