“Ia dalim me lezhjanë”, Bruka: Largimet nuk na dobësojnë, gati të punoj me Gjorgjeviçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2021 | 0:16

“Ia dalim me lezhjanë”, Bruka: Largimet nuk na dobësojnë, gati të punoj me Gjorgjeviçin

Besëlidhja do të jetë vërtet “bio”, megjithatë nuk do të mungojnë jabanxhinjtë apo të huajt. Është vetë Alban Bruka që na zbulon më shumë planet për sezonin 2021-2022.

Alban Bruka

Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri komenton largimin e dy titullarëve më jetëgjatë nga Lezha (Klejdi Dibra dhe Samet Hepaj), por i përgjigjet edhe kërkesës së Milan Gjorgjeviçit. Nuk mendon se skuadra është dobësuar, madje me bindje e thotë se lezhjanët do të kenë forcën dhe dëshirën për ta kthyer ekipin në Kategorinë Superiore.

Jeni rikonfirmuar në stol, si po ecën ndërtimi i Besëlidhjes së re?

Dihet që unë kam më shumë se dekada te Besëlidhja, si futbollist apo trajner. Puna që bëra gjatë fazës së tretë të kampionatit, më ka ndihmuar shumë në projektet e mia dhe mendoj se jemi në udhën e duhur për ndërtimin e ekipit të sezonit të ri.

Keni deklaruar se do të ndërtoni një ekip “bio”, a është e mundur kjo?

Gjatë fazës së tretë, kur unë mora drejtimin e ekipit, nisa eksperimentet me futbollistët lezhjanë, që deri atëherë nuk kishin marrë minuta në dispozicion. Më bindën, ndaj mendova që vlejnë për ndërtimin e Besëlidhjes së sezonit të ri.

Nuk do të ketë fare jabanxhinj apo të huaj në ekip?

Ne vërtet kemi deklaruar se Besëlidhjen do ta ndërtojmë me bazë lezhjanësh, por me 100% të tillë është vështirë ta realizosh, ndaj kemi piketuar disa futbollistë që nuk janë nga Lezha dhe luajnë në skuadra të mira. Ndërkohë që, besoj se nuk do të largohen të gjithë “jabanxhinjtë”. Presidenti do të vijojë me mbështetjen e tij bujare financiare, ndaj edhe jam optimist.

alban bruka

U larguan dy futbollistët më jetëgjatë të Besëlidhjes, Dibra dhe Hepaj. Sa e dobësuan ekipin?

Të dy kanë dhënë më të mirën e mundshme për Besëlidhjen, ndaj kontributi i tyre është i paçmueshëm. Kur nisa eksperimentet, i ula edhe ata në stol disa herë. Gjithçka funksionoi në rregull, ndaj edhe i lamë të lirë që të provonin aventura të reja.

Kategoria e Parë do të jetë “flakë” me një grup. A mendoni se projekti juaj për ngjitjen e ekipit do të funksionojë?

Shpresoj se po. Janë shumë faktorë që më bindin. E para, shumë futbollistë lezhjanë që janë pjesë e Besëlidhjes vlejnë. E dyta, përveç akademisë së Besëlidhjes, këtu në Lezhë militojnë edhe dy akademi private që janë shumë të suksesshme në Kategorinë Superiore. E treta dhe më kryesorja është se, përveç talentit, futbollistët lezhjanë luajnë më me grintë se futbollistët jolezhjanë, pasi janë edhe tifozë të ekipit të qytetit të tyre.

Fanella e Besëlidhjes është e rëndë, ndaj do ta veshë vetëm ai futbollist që me të vërtetë e meriton, lezhjan apo jo. Objektivi mbetet i njëjtë, pasi Besëlidhja, përveç rikthimit në elitë aty ku ka garuar një çerek shekulli të historisë së saj, nuk mund të ketë tjetër objektiv.

Gjorgjeviç nuk do që të ndahet me Besëlidhjen dhe është gati që të vijë edhe si ndihmësi juaj, nëse nuk do të luajë dot futboll. Çfarë mendoni për këtë kërkesë të serbit?

Milan Gjorgjeviç është një futbollist që i shërben Besëlidhjes, por gjendja shëndetësore që kaloi sezonin e shkuar na prishi shumë punë. Ai do të bisedojë me presidentin dhe së bashku do të vendosin. Për mua nëse vlen, do të mbetet titullar. Ndërsa sa për atë që dëshiron të jetë pjesë e stafit teknik, është çështje që e di vetëm presidenti. Unë jam i gatshëm të punoj me të.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"