“Ia dalim edhe me mungesa ndaj Skënderbeut”, Brdariç: Ndaj Vllaznisë të gjithë kundërshtarët janë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2021 | 11:38

“Ia dalim edhe me mungesa ndaj Skënderbeut”, Brdariç: Ndaj Vllaznisë të gjithë kundërshtarët janë…

Vllaznia ka mungesa të theksuara në transfertën e Korçës, por trajneri Tomas Brdariç, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, nuk e shfaqi këtë shqetësim. Ndonëse mungojnë 4-5 titullarë, Brdariç pohoi se konkurrenca është e lartë në ekip, kështu që disa lojtarë do të kenë mundësinë që me besimin e dhënë të tregojnë veten ndaj Skënderbeut. Si në çdo ndeshje, edhe në Korçë trajneri pret që të gjithë së bashku të tentojnë trepikëshin. Brdariç sërish përsërit faktin se çdo kundërshtar është i motivuar në maksimum kur përballet me Vllazninë, gjë të cilën e pret edhe ndaj Skënderbeut.

brdaric

Sa ju shqetësojnë mungesat e shumta që keni për Skënderbeun?

Nuk e shikoj shqetësuese, por vetëm si një sfidë të madhe për të luftuar me kundërshtarin e radhës.

A besoni se mund ta kaloni me sukses edhe këtë takim në transfertë?

Çdo ndeshje është një shans më vete për të marrë trepikëshin, kështu që të gjithë së bashku do ta provojmë që ta arrijmë këtë gjë në Korçë.

Fakti që do të ketë shumë ndryshime në formacion ju frikëson?

Ne kemi konkurrencë të madhe në radhët e skuadrës. Kështu që, është radha e asaj pjese të skuadrës që ka dëshirë për të shfaqur veten në kampionat. Ne po u japim besimin atyre për të treguar veten.

Skënderbeut i duhen pikë për mbijetesë, ndërsa juve për të ruajtur ritmin. A mund të jetë kjo javë në favor të Vllaznisë, në mënyrë që të përfitojë nga kombinimi i rezultateve të rivalëve?

Çdo skuadër në Superiore është shumë e motivuar për të luajtur kundër nesh. Por, edhe ne duam të përballemi me këto ekipe me dëshirën tonë të cilën e kemi shfaqur që nga fillimi i sezonit, dëshirë e cila ekziston akoma te Vllaznia.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"