“Ia dal përballë Soldados”, Frashëri: Kemi shanse me spanjollët, koha për… titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2020 | 19:35

“Ia dal përballë Soldados”, Frashëri: Kemi shanse me spanjollët, koha për… titull

Sakrifikoi dhe fitoi. Stivi Frashëri ka luajtur i dëmtuar, ndaj nuk ka si të mos ndihet krenar për veten. Është pa dyshim portieri i momentit dhe dëshmia më e mirë janë dy trofetë e marrë dhe kualifikimi për në turin e dytë të Ligës së Europës. Më shumë se kaq, as vetë korçari nuk mund të priste nga ky vit.

frasheri

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 30-vjeçari rrëfen se forma e tij nuk është rastësore, ndërsa nuk ngurron që të falënderojë ish-trajnerin Shkëmbi që e bindi të vinte te Teuta. Nuk kishte si të mos fliste edhe për Granadën, ndërsa hapur e thotë që kanë shanse për të shkuar më tej.

Duket se ia morët dorën Tiranës, e prisnit që të fitonit edhe Superkupën?

E prisja dhe e dëshiroja vërtet shumë këtë trofe. Kam sakrifikuar shumë, duke u aktivizuar edhe i dëmtuar në atë finale. Nuk mendoj se është shprehja e duhur “ia morëm dorën Tiranës”. Është “fryt” i punës së një sezoni të tërë. Kemi treguar se kemi ekip shumë të mirë gjatë gjithë këtij rrugëtimi, duke dominuar. Të njëjtën gjë e treguam edhe përballë kampionëve, të shpallur me meritë.

Frashëri po kaloni gjithashtu një superformë, cili është çelësi i suksesit?

Është e vërtetë dhe besoj se çelësi është stërvitja që po bëj me trajnerin tim, Bledian Rizvani. Më duhet ta falënderoj për përpjekjet e palodhura dhe përkushtimin maksimal.

“Goglat” në Ligën e Europës ju kanë vendosur përballë Granadës… i kënaqur me shortin?

Është një ndeshje prestigjioze. Kemi shansin që të provojmë veten me një kundërshtar që luan me ekipe si Reali, Barcelona apo Atletiko. Është një përballje luksi, ku nuk kemi asgjë për të humbur dhe shumë për të fituar. Mund të fitojmë eksperiencë dhe satisfaksion njëherësh, pasi nuk është pak të përballesh me një kundërshtar të këtij niveli.

A keni nisur ta studioni kundërshtarin?

Për ta studiuar është akoma herët. Po shijojmë fitoret e arritura në tur të parë e Superkupë dhe pushimet njëherë…

Përballë do të keni një sulmues me peshë siç është Roberto Soldado, sa e vështirë do jetë për ta “kyçur” portën?

Është kënaqësi më vete që të kesh përballë sulmues të nivelit të Roberto Soldados. Besoj se do të jem në lartësinë e duhur për të bërë më të mirën e mundshme në atë takim.

Sa shanse ka Teuta që të bëjë surprizën dhe të kualifikohet?

Futbolli ka treguar se gjithçka mund të ndodhë, e jo më kot është sporti më i dashur dhe ndjekur në botë. Surprizat janë pjesë e fushës, ndaj pse të mos besojmë?! Ne kemi shanset tona, minimale ose maksimale qofshin, ndaj do mundohemi t’i luajmë të gjitha për të gjitha.

Pasi fituat dy trofe, mos është koha që Teuta të synojë edhe titullin kampion?

Teuta që në fillim të sezonit të shkuar u projektua për të qenë kampion. Ky ishte shkaku që edhe unë jam këtu. Për këtë më duhet të falënderoj profesor Bledi Shkëmbin dhe Bledian Rizvanin, pasi falë tyre erdha në Durrës dhe po shijoj këto suksese. Duke pasur shumë cilësi në organikë dhe një staf shumë profesionist, pse të mos tentohet edhe titulli.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"