I zhgënjyer nga trajtim, rekordmeni largohet nga Kombëtarja shqiptare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2021 | 12:35

I zhgënjyer nga trajtim, rekordmeni largohet nga Kombëtarja shqiptare

Dekadat e fundit në Shqipëri na kanë shoqëruar gjithnjë me largime të sportistëve elitarë, të cilët, të lodhur nga trajtimi dhe mungesa e vlerësimit, kanë shkuar në vendime ekstreme duke vendosur të mos e përfaqësojnë më flamurin kuqezi dhe të largohen nga Kombëtarja.

nIKOLLI

Rasti më i fundit vjen nga atletika, teksa David Nikolli ka njoftuar publikisht largimin e tij nga ekipi kombëtar. Kampioni dhe rekordmeni i 1500 metrave, i lodhur dhe i zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes, ka vendosur të tërhiqet nga përfaqësimi i Shqipërisë vetëm disa ditë para Kampionatit Europian.

Nëpërmjet një postimi në faqen e tij në rrjetet sociale, Nikolli akuzon Federatën Shqiptare të Atletikës dhe institucionet shtetërore për situatën e krijuar, duke shprehur se drejtohen nga njerëz që nuk kanë lidhje me sportin dhe që i kanë kthyer këto institucione si pronë private. Ja postimi i plotë i kampionit David Nikolli në “Facebook”:

nIKOLI2

“Sapo kam dhënë dorëheqje për të përfaqësuar Shqipërinë në çdo lloj gare, duke vijuar që nga Kampionati Europian. Në këto tri vite sport kam përfaqësuar Shqipërinë 6 herë dhe kam sjellë 5 medalje ballkanike. Kam realizuar 7 rekorde kombëtare duke i përmirësuar 18 herë. Jam kampion Italie i klubeve dhe vend i dytë po i klubeve.

Gjithashtu, vend i tretë në kampionatin italian. Është hera e parë që Shqipëria ka një atlet në vrapim që është pretendent për arritje në Kampionat Europian dhe një pretendent kryesor që mund të arrijë normën e Lojërave Olimpike që zhvillohen në Tokio të Japonisë në muajin korrik. Duhet respekt për djersën dhe mundin që derdhin sportistët, për arritjet që ata kanë dhe të respektohen të drejtat e tyre.

Nuk përdoren federata dhe institucionet e sportit si pronë private nga disa persona që nuk kanë lidhje me sportin. Por, pas zhgënjimeve të herëpashershme detyrohem të them ‘stop’”, shkruan 26-vjeçari. Mësohet se shkak për këtë vendim është situata e krijuar me bllokimin e buxhetit, teksa atletit i është kërkuar që t’i presë biletat me paratë e tij për në veprimtaritë ndërkombëtare ku do të përfaqësojë Shqipërinë, pasi ende nuk është lëvruar buxheti.

I lodhur nga kjo situatë dhe me disa eksperienca të hidhura në të shkuarën ku paratë e nxjerra nga xhepi për bileta dhe akomodime nuk i janë rimbursuar, atleti ka marrë vendimin ekstrem. Kjo është një humbje e madhe për atletikën shqiptare, që shikon të largohet një prej sportistëve më të mirë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"