“I vura gjobë Bonuçit”, rrëfehet Mirabeli: Ibra nuk është zgjidhje për Milanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 15:26

“I vura gjobë Bonuçit”, rrëfehet Mirabeli: Ibra nuk është zgjidhje për Milanin

Nuk punon më për Milanin, por për “Telelombardia” Masimiliano Mirabeli ka dhënë një intervistë ku ka folur gjatë për çështjet kuqezi. Që nga Suso e deri te Donaruma, duke thumbuar madje drejtuesit aktualë të “Djallit”, ish-drejtori sportiv nuk u kursye në argumentimet e tij.mirabeli

Përse Milanit sot i mungojnë liderët?

Punova te Milani vetëm një vit dhe lojtarët e rinj jo vetëm që nuk e njihnin gjuhën, por kishte nga ata që nuk njihnin as emrat e shokëve. Kishim nevojë për kohë e pavarësisht problemeve arritëm në finalen e Kupës së Italisë dhe një kualifikim të lehtë në Ligën e Europës.

Përse shpenzuat aq shumë?

Sepse e dinim që buxhetet e klubit do të hetoheshin. Duke investuar, menduam të kishim një skuadër të plotë edhe në rast sanksionesh.

Nga lojtarët e blerë nga ju asnjëri nuk përbën bazën e Milanit aktual…

Mund t’ju jap të drejtë, por në ekip nuk luan asnjë lojtar nga ata që bleva unë. Champions-in Milanit “tim” ia hoqën humbjet me Veronën e Beneventon. Pastaj me drejtuesit nuk kishim kontakte, për herë të parë i kam takuar në Greqi kur mendonim të ndryshonim trajner. Kinezët donin Tuhelin, por unë kisha në mendje Gatuzon. Nuk është faji im që ata që më pasuan i kërkonin trajnerit se kush dhe ku duhet të luante.

E njihni mirë Kesin. Përse mendoni se është grindur me Piolin?

Për aq sa e njoh unë, është një djalë i jashtëzakonshëm. Për sa kohë ishim ne, nuk është stërvitur kurrë keq, keni të dhënat në klub që e vërtetojnë. Rendimenti varet nga drejtuesit dhe trajneri.

A bëhet kompromis për një lojtar mes drejtuesve dhe menaxherit?

Nuk e kam bërë kurrë diçka të tillë. Edhe Zhorzh Mendesin e kam marrë unë për Andre Silvën, por fillimisht kishim folur për Ronaldon. Kompromiset nuk i kam bërë as me futbollistët, madje një herë i vura 100 mijë euro gjobë Bonuçit për ta bërë shembull përpara ekipit sepse mori karton të kuq ndaj Xhenoas.mirabeli

Çfarë ka ndodhur me Montolivon?

Rikardo nuk është sjellë kurrë keq, por mbase Rinos s’i pëlqente se si stërvitej.

Ibra apo Suso?

Suso, sepse është një lojtar i madh. Megjithëse Ibra mund të bëjë ende diferencën, nuk mendoj se një 40-vjeçar është shpëtim për një klub si Milani.

Donaruma do të jetë problem apo zgjidhje për Milanin?

Nuk shoh vështirësi për të rinovuar me të, sepse nëse ia dola unë që jam budalla, kampionët që ka Milani tani duhet ta kenë më të lehtë. Madje, nuk kanë nevojë të paguajnë fare Raiolën, një menaxher që deri më sot i ka marrë Milanit 100 milionë euro.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"