“I vetmi shtet që injoron sportin”, flet administratori i Luftëtarit: Ja pse klubet kanë nevojë për ndihmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2020 | 0:29

“I vetmi shtet që injoron sportin”, flet administratori i Luftëtarit: Ja pse klubet kanë nevojë për ndihmë

Mungesa e mbështetjes nga qeveria shqiptare për sportin dhe më konkretisht futbollin, ka bërë që klubet e Superiores të shprehin shqetësimin e tyre për këtë injorim që po u bëhet nga shteti. FSHF dhe Liga Profesioniste kanë kërkuar nga qeveria që të fusë edhe futbollin në paketën e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga koronavirusi, teksa që prej 12 marsit çdo aktivitet futbollistik në vend u ndërpre.

cavo

Reagimi i radhës nga klubet përmes “Panorama Sport” vjen sot nga administratori i Luftëtarit, Vangjel Çavo. Ky i fundit jep disa arsye pse klubet në këtë moment duhen mbështetur nga qeveria shqiptare.

SITUATA

“Situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 ka bërë që të mos funksionojë jeta normale, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha është shëndeti i njerëzve.

Ne si drejtues dhe staf i klubit të Luftëtarit u kemi dhënë orientimet e duhura futbollistëve dhe personelit, sipas udhëzimeve të specialistëve. Kemi komunikim të vazhdueshëm me lojtarët dhe trajneri u ka dhënë një program të veçantë për këtë periudhë. Ne si drejtues bashkë me stafin vazhdojmë punën tonë.

Gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm me FSHF-në për problemet e ndryshme që kemi dhe që do të na dalin në vijim. Natyrisht një nga problemet kryesore është ai ekonomik. Shumë familje ushqehen nga rrogat e lojtarëve dhe punonjësve të klubit.

Kjo situatë nuk është vetëm në vendin tonë, por në të gjitha klubet e Europës që janë ndalur kampionatet. Mirëpo, ne nuk e kemi luksin e klubeve të huaja të mëdha që të përballojmë situata të tilla që janë të padëgjuara ndonjëherë”, ka thënë fillimisht Çavo.

PROBLEMI

Kriza ekonomike ka përfshirë prej kohësh klubet, prandaj dhe në këtë moment kritik, kërkohet ndihma e shtetit. “Komunikojmë shpesh me kolegë në vende të ndryshme të Europës dhe konkluzioni që del është se shteti është ai që ndihmon dhe përballon situata të tilla emergjente.

cavo

Kështu duhet të funksionojë edhe këtu, përderisa duam të quhemi shtet evropian. Jemi qytetar si gjithë të tjerët dhe taksapagues të shtetit tonë. Mirëpo, këtu tek ne qeveria ka shpikur teorinë se situatat emergjente i përballojnë vetë klubet me Federatën.

Nuk është shtet Federata, por një organizëm. Patjeter që FSHF do ndihmojë klubet dhe këtë e ka thënë vetë presidenti Duka, që institucioni do të jaëi mbështetjen e tij për anëtarët. Nuk e kuptoj pse futbollin qeveritarët tanë e shohin sikur ata që investojnë në klube bëhen të pasur. Kjo rrallë ndodh edhe në vendet më të përparuara. Kam 25 vjet që merrem me futbollin në Europë dhe të gjitha shtetet kanë një ligj të caktuar që lehtëson klubet e sponsorët të investojnë në futboll, ndërsa këtu ndodh e kundërta.

Sa fusha futbolli ka ndërtuar dhe sa ka riparuar shteti për fëmije ose klube gjatë gjithë viteve të fundit? Unë flas edhe për klubin tonë të Luftëtarit. Jemi në një situatë të vështirë, si të gjitha klubet në Shqipëri dhe kërkojmë ndihmë për të përballuar emergjencën tani dhe pas pandemisë”, deklaroi drejtuesit i Luftëtarit.

Cavo

DETYRIMET

Në fund Çavo foli për kostot që ka kjo ndërprerje dhe pse ndërhyrja e qeverisë shihet si shpëtim. “Do kemi dy muaj pa aktivitete, por shpenzimet për klubin vazhdojnë. Jemi të detyruar të paguajmë kontratat e lojtarëve, ka ose nuk ka aktivitet. Kemi detyrime për të paguar stafin, që nga ekipi i parë deri tek moshat, sepse me këto lekë mbajnë familjet. Nuk paguajnë prindërit për fëmijët as 40 dhe as 70 euro në muaj për aktivitetet dhe stërvitjet në akademinë tonë, por bëjnë një pagesë simbolike 20 mijë lekë të vjetra dhe që nuk dalin jo për rrogat e trajnerëve, por as për udhëtimet e kampionatit. Sponsorët në këtë situatë të ndërprerjes së kampionatit nuk na ndihmojnë dot.

Ndërsa Bashkia si ortake në ekip me 25 % na ka dhënë deri tani që nga shtatori i vitit 2019 vetëm 1 milionë lekë të reja. Kemi shumë kosto për mirëmbajtjen e ambjenteve, qoftë stadiumit ashtu edhe qëndrave stërvitore që kemi, të cilat i paguajmë me lekët e klubit. Nga jashtë është shumë bukur të dëgjosh sa lekë fitojnë ekipet ose presidentët e tyre, por është e kundërta kur e sheh nga brenda. Nëse ka ndonjë që mendon ndryshe, të dalë dhe të më përgënjeshtrojë për këtë që po them.

Cavo

Presidentët vendosin lekët e familjeve të tyre nga dashuria dhe dëshira për këtë sport. Ndryshe nuk do kishim as ekipe Kombëtare, ku qeveritarët tanë vrapojnë të parët për të zënë vendet VIP në stadium, ndërsa sot i kthejnë kurizin futbolli. E them edhe një herë që qeveria jonë duhet ta ndihmojë futbollin si çdo shtet tjetër në Europë në këtë situatë. Shembulli më i mirë është Kosova që akordoi 5 milionë euro për sportin”, përfundoi administratori i klubit gjirokastrit.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"