I vetmi që u ka shënuar në këtë sezon, Tirana piketon Zisin për në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2017 | 13:02

I vetmi që u ka shënuar në këtë sezon, Tirana piketon Zisin për në janar

Tirana do kërkojë që të mos përsërisë më asnjëherë disfatën ndaj Bylisit, derisa të sigurojë ngjitjen në Kategorinë Superiore. Me këtë synim, ekipi bardheblu nuk do të lejojë më asnjë hap fals, në mënyrë që ngjitja të bëhet e mundur sa më shpejt. Mirëpo, forma e mirë dhe ndërlidhja e skuadrës nuk janë mjaftueshëm për 24 herë kampionët në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra e drejtuar nga Ze Maria ka krijuar idetë e para për ndërhyrjet që do të provojë në merkato.

zisi

MESFUSHORI

Niko Zisi është emri që do të shënohet si i pari që realizoi kundër Tiranës në Kategorinë e Parë. Në sfidën e luajtur në “Selman Stërmasi”, në të 58-ën minutë, ai shtangu bardheblutë. Pasi çau krahun e majtë dhe kaloi të gjithë bardheblutë, u fut në zonë dhe i vetëm përballë Likës gjuajti me të djathtën për të shënuar golin që u mjaftoi ballshiotëve për tri pikët.

Ky personazh tashmë është bërë një nga elementet e piketuar nga Tirana dhe do të synohet gjatë merkatos dimërore. Drejtuesit bardheblu e kanë mbajtur shënim këtë futbollist dhe pritet që në hapësirën e radhës të transferimeve të mendojnë për afrimin e tij. Së fundmi, goditjet e drejtuesve të ekipit kryeqytetas në merkato nuk kanë munguar, ndaj lëvizja me Zisin mund të realizohet me sukses.

“Për Tiranën nuk dija shumë gjëra. Vetëm që ka histori të madhe dhe ka fituar shumë tituj. Është skuadër shumë e mirë. Ndryshon nga skuadrat e tjera në këtë kategori. Por ishte merita jonë, pasi bëmë më së miri gjithçka kërkoi trajneri”, u shpreh lojtari për bardheblutë në përfundim të përballjes me ta, e fituar nga Bylisi.

MERKATO

Emri i Zisit është lakuar edhe si dëshirë në kampion vlonjat. Skuadra e Flamurtarit është vënë gjithashtu në “radhë” për shërbimet e mesfushorit. Lojtari 22-vjeçar, i lindur në Fier, shihet si një element cilësor për skuadrën e Superiores për të plotësuar organikën për pjesën e dytë të edicionit. Ai është nën kontratë me Bylisin dhe drejtuesit nuk do të heqin dorë lehtësisht nga shërbimet e tij, prej të cilit presin afro 100 mijë euro.

Tirana duhet të mendohet seriozisht për shërbimet e tij, ndaj dhe oferta e drejtuesve kryeqytetas pritet të jetë e duhura. Do të ishte një mundësi për të rrëmbyer një talent nga rivalët e Kategorisë së Parë dhe për të shtuar kontingjentin me futbollistë të vlefshëm për të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"