I vendosi Besës “kusht” infrastrukturën, Magani: Stadiumi, halli ynë i madh!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2022 | 14:22

I vendosi Besës “kusht” infrastrukturën, Magani: Stadiumi, halli ynë i madh!

Besa nuk heq dorë nga ngjitja. Edhe pse Flamurtari me Dinamon duken sikur kanë “zaptuar” dy vendet që të çojnë direkt në elitë, Gugash Magani e sheh në garë edhe skuadrën e tij. Nuk është totalisht i kënaqur me atë që kanë bërë në këto 10 javë dhe e sheh domosdoshmëri ndërhyrjen në merkato, por mendon se nuk kanë asgjë më pak se bashkëkryesueset e Kategorisë së Parë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, i bën një analizë të detajuar situatës, pritshmërive dhe i kthehet edhe një herë hallit më të madh që kanë verdhezinjtë: mungesën e një stadiumi.

MAGANI

Kampionati rinis këtë fundjavë. Është gati Besa?

Mendoj se kemi bërë mirë gjatë ndërprerjes së kampionatit. Kemi alternuar stërvitjen me takime miqësore. Më gëzon fakti se nuk kemi pasur asnjë dëmtim. Për rrjedhojë e kam pasur grupin të plotë gjatë gjithë kohës. Jemi plotësisht gati për vazhdimin e kampionatit.

Ndërkohë që keni vetëm 15 pikë dhe ndodhemi në mesin e tabelës, vazhdoni të besoni tek objektivi i fillim sezonit?

Sigurisht që vazhdoj të besoj se janë të gjitha mundësitë që Besa të luftojë për Superioren. E kam thënë dhe e përsëris se kuota e 15 pikëve që ju citoni, është kryekëput faji ynë. Kemi lëshuar pikë në fushën tonë. Me këtë rast ju e dini se luajmë jashtë Kavaje dhe se stadium i Peqinit nuk ka parametra optimalë, edhe pse kemi zgjedhur atë.

Flamurtari e Dinamo duket sikur e kanë “zaptuar” kreun…

Janë dy ekipe që mendoj nuk qëndrojnë më lart se Besa. Dallimi mes nesh e atyre qëndron vetëm në faktin se ata janë treguar më cinikë për sa u përket pikëve, ndërsa Besa ka lënë pikë veçmas në Peqin. Diferenca mes nesh e Dinamos e Flamurtarit është vetëm 6 pikë dhe do mjaftonin dy fitore nga 4 barazimet që kemi shënuar në Peqin që diferenca të ishte e papërfillshme. Besoj fort te lufta deri në fund.

Sa pikë prisni në tri javët e mbetura të kësaj faze?

Besa kudo që luan ka vetëm një qëllim, të fitojë. E njëjta gjë vlen edhe për këto tri javë. Po në futboll ndodh gjithçka. Prandaj s’mund të jap dot një shifër. Me qejf do të thoja 9 ose 7, por…

Në fillim të kampionatit vendosët një kusht për vazhdimësinë tuaj me Besën, siç ishte ndërtimi i stadiumit “Besa”. Por punimet nuk kanë filluar…

Po, e vërtetë që nisur nga objektivi i vënë nga klubi, është më se normale që faktori fushë ka ndikimin e tij jo të vogël. Më vjen keq që edhe sot nuk është bërë asgjë për stadiumin, por unë e kam nisur punën. Jam në mes të saj dhe nuk do të ishte e drejtë ta lija në mes. Shpresoj edhe në këto momente që të bëhet diçka për stadiumin. Jo për Gugash Maganin, por për mijëra tifozë kavajas, të cilët janë të dënuar të ndjekin Besën jashtë qytetit të tyre. Pastaj po flasim për Kavajën, që është ndër themeluesit e futbollit dhe meriton patjetër të ketë stadiumin e ri.

Ka nevojë Besa për përforcime të tjera në janar?

Përforcime do të donte çdo trajner. Ekipi ka nevojë të paktën për 2-3 përforcime. Ne do t’i bëjmë ato në janar, pasi gara vjen e forcohet dhe konkurrenca në grup është e domosdoshme.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"