I tha Abidalit “mos na dërgo më video i sëmurë”, Mesin e kryqëzojnë për mungesë ndjeshmërie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2018 | 22:00

I tha Abidalit “mos na dërgo më video i sëmurë”, Mesin e kryqëzojnë për mungesë ndjeshmërie

Erik Abidal është rikthyer të flasë për të kaluarën e tij pak ditë më parë dhe në veçanti për vitin 2011, kur luftonte me kancerin në mëlçi, duke rrezikuar jo vetëm që t’i jepte fund karrierës, por edhe jetës. Në një intervistë për “Canal Plus”, ishmbrojtësi foli për etapat e sëmundjes duke rrëfyer edhe disa hollësi të pazbuluara më parë.

Rrëfimi i tij prekës, sidomos pjesa ku tregonte për Lionel Mesin dhe kërkesën e argjentinasit për të mos postuar më foto dhe zbuluar detaje të sëmundjes, ka indinjuar një pjesë të mirë të mediave dhe sportdashësve, të cilët e kanë cilësuar “Pleshtin” si të pandjeshëm ndaj vuajtjeve të një miku dhe kolegu si Abidali.

abidal mesi

Sulmuesi katalanas është shënjestruar në mënyrë të ashpër, sidomos për faktin sepse edhe ai e di domethënien e luftës me një sëmundje të rëndë, pasi kur ka qenë i vogël ka pasur probleme serioze me shëndetin. Abidal, në intervistën e tij, ka treguar se shpesh u dërgonte video shokëve duke sqaruar: “U dërgoja video, sepse i shihja që shqetësoheshin për shëndetin tim dhe u dukesha shumë i dobët. U kërkoja të mos mendonin për mua, teksa një ditë Mesi më shkroi që të mos nisja më të tilla gjëra pasi kështu jo vetëm që nuk i qetësoja, por i shkaktoja më shumë shqetësime. Unë mundohesha t’u jepja forcë, ndërsa ata më shihnin si një kufomë dhe kjo i trishtonte”.

38-vjeçari, i cili në vitin 2011 ngriti në qiell edhe Ligën e Kampioneve si kapiten, përmendi edhe emocionet e një vizite të Tieri Henrisë, kur ndodhej në Nju Jork gjatë kurimit: “Ishte i vetmi futbollist që erdhi për të më takuar. Kur e pashë në fund të korridorit nisa të qaj si një fëmijë. Nuk doja që të më shikonte ashtu, por më gëzoi me të vërtetë shumë fakti që erdhi për të më parë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"