I soset durimi, Gugash Magani “dajak” Besës: Dikur, disa nga ju…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2022 | 11:29

I soset durimi, Gugash Magani “dajak” Besës: Dikur, disa nga ju…

Gugash Maganit i soset durimi. Në analizat e bëra në 9 javët e para ka qenë gjithnjë i butë, por ndryshe ndodhi të enjten. Ajo zgjati më shumë se një orë dhe trajneri ka shkuar deri aty, sa u ka treguar edhe stolin. Gazeta është munduar që të zbardhë fjalimin e teknikut peqinas:

besa

“Nisur nga mosha që shumica prej jush kanë, jam përpjekur që deri tani të bëj edhe prindin përveçse trajnerin. Ju kam mbështetur hapur edhe atëherë kur më keni zhgënjyer.

E kam bërë me ndërgjegje të plotë, që të kuptoni që ju çmoj dhe e dua suksesin tuaj.

Përherë ju kam trajtuar një soj. Tani që kanë kaluar 10 javë dhe mbi 90% juaja kanë qenë pjesë e formacionit, ka fituar përvojën që se kishit kur erdhët.

Jam i pakënaqur nga disa, pasi ndaj Dinamos u shndërruat në pjesën e dytë.

Dua të di nga ju çfarë ndodhi? Dua të dëgjoj nga secili prej jush se si e dominoni një ekip 45 minuta e nuk jeni më ju në pjesën e dytë”.

Pasi kanë folur titullarët e formacionit, trajneri i ka “kërcënuar”.

“Nga sot, Magani nuk mundet t’ju falë më dhe as të kalojë humbjet sikur s’ka ndodhur asgjë. Jemi në kuotën e 15 pikëve, aq larg sa edhe afër kreut.

Ka mbaruar ajo kohë. Keni bërë aq shumë gabime sa ka ardhur momenti ta trajtoni veten dhe ekipin në lartësinë e emrit dhe historisë së tij. Secili t’i thërrasë mendjes, se nuk do të pranoj më të ndryshoni brenda 90 minutave.

Ata që do ta bëjnë këtë do të kenë si ‘shtëpi’ stolin dhe jo për një javë”, paralajmëroi 57-vjeçari.

Pas këtij “dajaku”, trajneri ka nxjerrë në pah edhe disa të mira.

“E dini se shumë futbollistë të ekipeve të tjera, ju kanë zili që kaq të rinj mbani veshur këtë fanellë? E kuptoni se keni një shans të artë që më herët te Besa as ishte imagjinuar.

Kur them këtë, kam parasysh faktin se nëse Besa do të ishte në Superiore, me siguri fare pak nga ju do të vijonin të ishit pjesë e saj.

Talent, dëshirë kanë dhe të rinj të tjerë në shumë qytete, por askush nuk ua jep shansin dhe dorën si te ne. Prandaj, shfrytëzojeni në maksimum.

Luani e rrituni për të ardhmen tuaj. Keni kushte ideale dhe nuk njihni as presion apo padrejtësinë, përkundrazi keni mbështetje. Djersini, bëni diferencën me lojtarët në ekipet e tjera dhe ju garantoj se shpejt karriera juaj do të jetë Superiorja”, tha mes të tjerash trajneri.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"