I skadon kontrata, rrëfehet trajneri Canaj: Lushnja, sfida më e vështirë në karrierë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2022 | 21:53

I skadon kontrata, rrëfehet trajneri Canaj: Lushnja, sfida më e vështirë në karrierë

Fundi i muajit “liron” nga çdo marrëveshje lojtarët dhe stafin teknik. Askush nuk e ka të sigurt qëndrimin dhe dashur pa dashur e ardhmja është e paqartë. E megjithatë, te Lushnja kanë qenë të përgatitur për këtë pjesë. Kontratat janë 11-mujore dhe tashmë duhet të presin kryebashkiaken Eriselda Sefa për të zbuluar nëse do të jenë apo jo pjesë e organikës për sezonin 2021- 2022.

AGIM CANAJ

Këtë e thotë edhe Agim Canaj, gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, teksa shpjegon edhe arsyen pse po vazhdojnë stërvitjet. “Unë dua të jem korrekt me parametrat e kontratës. Kështu kam vepruar kudo që kam drejtuar. Është ky shkaku që jemi në fushë dhe po stërvitemi, ndonëse kampionati u bë gati dy javë që është mbyllur. Edhe pse ka lojtarë që vijnë nga rrethet dhe kanë sikletet e veta, e kemi bërë këtë ‘pakt’ dhe do vazhdojmë punën deri më datë 24. Ajo do të jetë e fundit ditë që kemi programuar seancë.

Në këtë mënyrë, mbajnë edhe veten në formë. Ndaj, nuk është fort keq. Nuk është mirë për askënd që të nisë pushimet që në mes të muajit maj. Ngarkesën e kemi shmangur sigurisht, derisa nuk jemi në aktivitet. Kanë qenë stërvitje relaksuse dhe na kanë bashkuar më shumë me njëritjetrin dhe në fund do të ndahemi si miq. Unë e mora shumë seriozisht aventurën te Lushnja.

Kisha 18 vite shkëputje nga hera e fundit dhe u riktheva me dëshirën më të madhe, ndonëse objektivat ishin minimalë. E bëra punën me shumë seriozitet, për të shpëtuar kategorinë. Ia dolëm dhe kjo falë angazhimit të lojtarëve, që bënë një fazë të dytë vërtet të mirë. Tani jemi lehtësuar mjaft, pasi e kam përmendur disa herë që stresi nuk na mungoi. E ardhmja? Deri të martën do stërvitemi, më pas… Gjërat u mbeten drejtuesve për të parë se ç’do të bëjnë për sezonin 2022-2023″, u shpreh fillimisht vlonjati i stolit verdhejeshil.

SFIDA

Trajneri analizon ecurinë e ekipit, ndërsa pohon se kjo ishte sfida më e vështirë që ka përjetuar në karrierë. Ka drejtuar edhe Vllazninë në Kategorinë e Parë, por me Lushnjën pati tjetër siklet. “Ndoshta ky ka qenë objektivi më i vështirë në karrierën time. Unë kam drejtuar gjithmonë në Superiore. Kam drejtuar edhe Vllazninë kur u ngjit në elitë, por situatat janë të kundërta totalisht. Këtu ishte shumë e vështirë dhe kjo nga rrethanat, ngjarjet që ndodhën në bashki. 14 pikët e fazës së parë nuk premtonin shumë. Kjo më bëri që të kisha një stres shumë të madh.

Në fillim e mora pak me më shumë qetësi, por pashë që gjërat ishin shumë të vështira. Dua të përgëzoj djemtë, pavarësisht se kishin vështirësi sa i takon fushës, por u angazhuan. Mund të them që ishte një angazhim i përgjithshëm që më krijoi një respekt për të gjithë këta djem, grupin që gjeta, por edhe futbollistët që erdhën më pas. U integruan mirë në një trup të vetëm dhe këtu kanë meritë të madhe lojtarët vendës, Canka, Kaloshi e me radhë.

Në çdo moment kemi qenë shumë të angazhuar, në ditë të mira edhe në ditë të vështira. Sidomos vështirësitë më të madha i kishin në dy ndeshjet me Burrelin dhe Erzenin. Për ne ishin jetike. Falë Zotit, me luftë dhe me përpjekje arritëm t’i merrnim gjashtë pikët që na duheshin. Nuk patëm qetësi as në ndeshjet e fundit, por besuam shumë. Mposhtëm Apoloninë dhe në finish Shkumbinin, duke realizuar objektivin. Mendonim se nuk do t’ia dilnim, por kapëm vendin e shtatë në klasifikim”, përfundoi Canaj.

ALBAN ALUSHI PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"