I shumëkërkuar në merkato, flet sulmuesi i Apolonisë: Gati për hapin e madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2021 | 13:46

I shumëkërkuar në merkato, flet sulmuesi i Apolonisë: Gati për hapin e madh

Mario Gjata është një nga talentet më të spikatura të Apolonisë. Një prodhim i akademisë fierake të futbollit, një 9 tipik dhe 1.88 m i gjatë. Është vetëm 20 vjeç, por 4 vjet eksperiencë te bardhejeshilët e kanë rritur ndjeshëm. Duke llogaritur të dyja kompeticionet, kampionat dhe Kupë, qendërsulmuesi ka marrë 5779 minuta në 95 ndeshje dhe shënuar plot 33 gola.

Gjata

Goleadori fierak është evidentuar edhe në Kategorinë Superiore, ku realizoi 8 rrjeta dhe u bë një nga futbollistët më të lakmuar gjatë kësaj merkatoje verore. Vetë sulmuesit nuk i duket etike të përmendë skuadrat që e kërkojnë, por në “dyert” e klubit kanë “trokitur” që nga debutueset Egnatia dhe Dinamo e deri te Skënderbeu, Kukësi, Tirana e Partizani.

Mosha e re i jep prioritet Gjatës, teksa opsioni i kontratës e mban edhe 1 vit të lidhur tek Apolonia. Drejtuesit e shohin si një nga asetet e çmuara dhe nuk kanë ndërmend ta lëshojnë lehtë, madje pretendojnë tregun e huaj, ku pista e Zvicrës mbetet më e avancuar në tratativa. Për “Panorama Sport”, sulmuesi flet për Apoloninë dhe për të ardhmen e tij:

“Apolonia është ‘shtëpia’. Te kjo skuadër linda dhe u rrita si futbollist, ndaj unë i jam mirënjohës këtij mjedisi, gjithë trajnerëve që kam pasur dhe drejtuesve të klubit.

Katër vjet me ekipin e parë kanë qenë një shkollë e madhe për mua. E nisa kështu, sepse shpesh ne futbollistëve na rrëmben ritmi i intervistës dhe harrojmë të prekim disa gjëra të rëndësishme që kanë ndikuar në karrierën tonë”.

Më tej, ai shpreh besimin se bardhejeshilët në një të ardhme të afërt, do të rikthehen bindshëm në elitë, ndërsa i devijon një përgjigjeje direkt për të ardhmen e tij.

“Nuk ia dolëm dot të vazhdonim në Superiore. Megjithatë, edhe në Kategorinë e Parë, jemi të bindur se Apolonia do të ndërtojë skuadrën e duhur për t’u rikthyer sa më shpejt në elitë. A do të jem unë pjesë e këtij ekipi në Kategorinë e Parë? A kam oferta? Unë mbetem i lidhur edhe 1 vit me Apoloninë dhe, nëse kam oferta ose jo, pak e rëndësishme është, përderisa asgjë nuk ka gjë konkrete.

Por, këto nuk më kanë munguar nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nuk mund t’ju them emra skuadrash se nuk është në dorën time, por të klubit. Unë jam i gatshëm për të sfiduar veten në rangjet më të larta të futbollit”, përfundon sulmuesi i Apolonisë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"