I shënoi Partizanit, Tafaji: Jo hakmarrje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2013 | 13:10

I shënoi Partizanit, Tafaji: Jo hakmarrje

Tafaj FatjonKa ndëshkuar ish-ekipin, atje ku deri tri javë më parë kishte statusin e kapitenit. Fatjon Tafaji, edhe pse i gëzohet fitores në këtë miqësore, deklaron se nuk i ka ardhur fort mirë që i shënoi pikërisht Partizanit. Qendërmbrojtësi i bluve, i cili ka fituar shumë shpejt besimin e teknikut Mehmeti, thotë se goli ishte i paparashikuar dhe i pamenduar, ndërsa nuk i vjen mirë që u ka shënuar të kuqve. Lojtari, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, komenton ekipin e tij dhe miqësoren kundër “demave”. “Fitoren e dëshiroja, sepse unë tashmë jam pjesë e Dinamos dhe ne duhet të merrnim rezultat pozitiv. Por, të tregohem i sinqertë, unë nuk kisha menduar se do të aktivizohesha nga minuta e parë, pasi kisha vetëm 5 ditë stërvitje me Dinamon”, – thotë Tafaji fillimisht.
Goli – I pyetur për golin, qendërmbrojtësi shprehet: “Pozicioni im është i tillë që rrallë mund të realizosh gola, por me sa duket ishte dita ime dhe shënova. Çdo lojtar kur hyn në fushë kërkon që të arrijë të shënojë, unë shënova, por nuk mund të them se i shënova Partizanit, pasi s’kam asgjë kundër asaj skuadre. Por, them që shënova për Dinamon, sepse i shërbej këtij ekipi”. Ndërsa i pyetur për vazhdimësinë e skuadrës, si një lojtar me eksperiencë, 32-vjeçari tregon se ekipi është drejt konsolidimit. “Me sa kam parë, ekipi ka shkuar drejt konsolidimit dhe është arritur harmonizimi i grupit. Tashmë duhet të punojmë fort për ndeshjet e kampionatit, të cilat janë radhë. Na pret një kampionat i vështirë, por besoj se me punën e bërë do t’ia dalim”, – përfundoi mbrojtësi Fatjon Tafaj.
Afrimet – Blutë kanë arritur të “izolojnë” problemet në tri reparte, por ai i sulmit mbetet me probleme. Edhe pse është afruar Marashi si “pykë”, Mehmetit i duhen dhe lojtarë të tjerë në këtë pozicion, të cilët e njohin mirë portën, por ende nuk është arritur kjo gjë. Bisedimet me Tahirllarin e Skënderbeut janë mbyllur, ndërsa pritet ardhja e tij në stërvitje. Mirëpo, blutë janë në bisedime dhe me Bujamin Xhemailin, sulmuesin e ekipit kosovar Drita. Pritet që ky lojtar të vëzhgohet nga tekniku Mehmeti dhe më pas të vendoset për të. Aktualisht në këtë repart gjatë ndeshjeve miqësore janë aktivizuar: Marashi, Ferhati, Allkanjari, Tepelena, Rakipi e Agastra. Ky i fundit është larguar nga blutë, ndërsa të tjerët nuk janë në nivelin e kërkuar. Në këtë repart, përveç afrimeve, do të ketë edhe largime.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"