I shënoi Luftëtarit golin e parë, Lajthia: I ndëshkoj sërish, pres ftesë nga Shpresat

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Prill 6, 2018 | 16:15

I shënoi Luftëtarit golin e parë, Lajthia: I ndëshkoj sërish, pres ftesë nga Shpresat

Xhonatan Lajthia është 19-vjeçari i skuadrës së Teutës, që premton shumë për të ardhmen. Pasi ka siguruar një vend në formacion, mesfushori në një intervistë për “Panorama Sport” shpreson që të shënojë ndaj Luftëtarit, ashtu siç ka bërë edhe në përballjen e fundit mes dy ekipeve.

xhonatan lajthia

11 ndeshje radhazi pjesë e formacionit, prej tyre 10 si titullar, e kishit menduar diçka të tillë në fillim të këtij sezoni?

Jam shumë i lumtur që jam pjesë e formacionit, edhe në ëndrrat më të bukura nuk e kisha menduar se do të luaja kaq shumë ndeshje dhe për më tepër radhazi. Jam shumë i lumtur dhe për këtë, fillimisht dua të falënderoj ish-trajnerin Nica që më dha besim, e më pas Begejën që më dha vijimësinë. Profesori me njeh mjaft mirë, pasi më ka drejtuar që te moshat. Sigurisht një falënderim edhe për presidentin, që pati besim te një lojtar i ri si unë.

Golin e parë e keni shënuar ndaj Luftëtarit në ndeshjen e dytë radhazi në formacion, tani keni të njëjtin kundërshtar përballë, premtoni një tjetër gol?

E rëndësishme është që ekipi të marrë më të mirën nga kjo ndeshje, pak rëndësi ka se kush shënon. Në stërvitje unë jap gjithmonë maksimumin si të jem në ndeshje. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm, do të ishte bukur të shënoja sërish kundër Luftë- tarit, pasi kemi shumë nevojë edhe për pikë.

Me çfarë objektivi shkon Teuta në këtë përballje?

Po e përgatisim me shumë kujdes këtë takim, pasi për ne është si finale. Jemi në një pozicion të vështirë dhe kemi nevojë për pikë. Besoj se do të kthehemi me pikë, nëse të gjithë japim më të mirën.

E kishit menduar se do të bëheshit pjesë e ekipit në një moment kaq delikat?

Në fillim të sezonit nuk e mendova se do të kisha mundësi për të luajtur, pasi nuk kisha fare minuta. Më pas m’u dha shansi dhe unë e shfrytëzova në maksimumin atë. Megjithatë, nuk e kisha menduar se do të isha pjesë e formacionit, është një ndeshje e papërshkrueshme.

Si ju ka motivuar trajneri Begeja, pasi jeni ende 19 vjeç?

Fjalët e tij kanë qenë shumë motivuese. Mbaj mend që më ka thënë: “Po të jap shansin të luash sepse e ke merituar me progresin që ke bërë. Nuk dua të më zhgënjesh, vazhdo të japësh maksimumin. Tani pres shumë nga t’i, pavarësisht moshës. Duhet të mbash përgjegjësi, pasi je lojtar Superlige dhe gjithmonë duhet të japësh më të mirën”.

E keni pritur një ftesë nga Kombëtarja U-21, duke pasur parasysh formën që po kaloni?

Të them të drejtën, e kam pritur një ftesë sepse, përveçse kam luajtur me Teutën, u grumbullova edhe me U-20 në Turqi. Në të dyja ndeshjet kundër Azerbajxhanit isha në formacion dhe besoj se bëra një performancë të mirë. Megjithatë, jam vetëm 19-vjeç dhe mendoj se do të më thërrasin në të ardhmen.

Drilon Xhepollari






www.minuta90.com