I shënoi ish-ekipit, mbrojtësi Kasmollari: Asnjë pendesë, në Berat ndihem shumë mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 18:33

I shënoi ish-ekipit, mbrojtësi Kasmollari: Asnjë pendesë, në Berat ndihem shumë mirë

Tomori ka me se të krenohet në këtë nisje sezoni. Jo vetëm që kanë marrë pikët e domosdoshme për të pretenduar ngjitjen në elitë, por edhe të shënojnë. Dhe golat te beratasit nuk vijnë vetëm nga sulmi, por edhe nga mesfusha e mbrojtja. Rasti më i fundit ishte ai i Paolo Kasmollarit, qendërmbrojtësit që “vulosi” fitoren kundër Pogradecit.

paolo kasmollari

Një top i harkuar nga këndi dhe 20- vjeçari nuk fali me kokë. Për të ishte një ndeshje vërtet e veçantë, pasi përballë kishte pikërisht ish-ekipin. E megjithatë, vend për pendesë nuk ka. Edhe pse nuk festoi, ai e quan veten profesionist dhe si i tillë do t’i gëzohet ecurisë së skuadrës ku luan. Për “Panorama Sport” qendërmbrojtësi flet për emocionet e asaj rrjete dhe objektivat.

“Nuk dua ta fsheh, por jam shumë i lumtur që kam shënuar golin e fitores përballë Pogradecit. Atë ia dedikoj familjes sime, për mbështetjen që më ka dhënë prej momentit kur nisa futbollin e deri më sot. Edhe pse kam ndëshkuar skuadrën e vendlindjes, nuk kam asnjë lloj pendese dhe keqardhje. Për aq kohë sa kam zgjedhur të luaj në futbollin profesionist, do të ndodhte një ditë që do të shënoja. Jam shumë i kënaqur që kontribuoj për Tomorin.

Të jem i sinqertë, në Berat ndihem shumë mirë në të gjitha aspektet, si në atë sportiv dhe atë financiar. Këtu e duan futbollin dhe respekti që tregojnë qytetarët ndaj meje më jep shtysë që të vazhdoj të shkëlqej në fushë. Jemi një skuadër kompakte dhe në harmoni të plotë, ndaj dhe shpresoj që në fund të këtij kampionati të meritojmë si shpërblim ngjitjen në Superiore”, ka përfunduar qendërmbrojtësi pogradecar i Tomorit, 20-vjeçari që po spikat në këtë fillim kampionati me beratasit.

EDI SPAHIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"