I shënoi dy gola ekipit dhe i dha vendin e parë, sulmuesi i Erzenit: S’e lëshojmë më kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 17:25

I shënoi dy gola ekipit dhe i dha vendin e parë, sulmuesi i Erzenit: S’e lëshojmë më kreun

Erzeni është më në fund aty ku priste. Edhe pse morën kreun e Grupit A, nuk kanë më në plan që ta lëshojnë. Shijakasit e kanë nisur me pretendime të mëdha këtë sezon, ndaj edhe fitorja me Dinamon ka ardhur në momentin e duhur. Ata dëshmuan edhe një herë se do të luftojnë deri në fund që të ngjiten në Kategorinë Superiore.

erzenii

I këtij mendimi është edhe Mustafa Xhixhiua, një nga protagonistët kryesorë të fitores me Dinamon. Afrikani me dy golat e tij i dha një trepikësh të çmuar skuadrës së drejtuar nga Vladimir Gjoni, e megjithatë tregohet tejet modest kur thotë se më shumë e gëzoi fitorja.

“E kishim vlerësuar maksimalisht ndeshjen me Dinamon. Pavarësisht pozicionit të dobët që kanë, janë një emër që ne e kemi respektuar. Në këtë transfertë shkuam të mobilizuar për të arritur jo vetëm fitoren, por edhe kryesimin e grupit. Gjë që fatmirësisht e realizuam. Dëshmuam se kemi një skuadër e cila me përbërjen që ka, me stafin teknik dhe interesimin e vazhdueshëm të kryebashkiakut Elton Arbana, meriton pa dyshim ngjitjen në Kategorinë Superiore, të cilën ne do ta arrijmë vetëm duke luajtur si ndaj Dinamos. Pa dyshim jam shumë i gëzuar me dy golat që shënova, por ato erdhën si rrjedhojë e një loje fantastike që nga portieri, mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Kjo fitore na vë akoma më shumë para përgjegjësisë për të ecur përpara. Me këtë ritëm duhet të vazhdojmë ndaj Egnatias, që e sfidojmë në transfertë. Prej të hënës po përgatitemi për të kaluar me sukses edhe këtë kundërshtar dhe blinduar kreun”, përfundoi kamerunasi për “Panorama Sport”.

Fiqiri Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"