I shënoi Dinamos, Shtubina tregon objektivin për këtë sezon: Egnatia “kockë” e fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2021 | 19:18

I shënoi Dinamos, Shtubina tregon objektivin për këtë sezon: Egnatia “kockë” e fortë

Fitorja 1-0 në testin kundër Dinamos shfaqi qartë se Egnatia ka ndryshuar tërësisht nga ajo e finales. Por stafi rrogozhinas kishte menduar që të bënte ndryshime në krahasim me miqësoret e kaluara. Që nga porta e deri në sulm, u pa një skuadër me përbërje tjetër tërësisht e cila do të provohet për vazhdimësinë. Në këtë takim miqësor, autori i golit të vetëm ishte Ndriçim Shtubina. Kapiteni i Egnatias, për “Panorama Sport” theksoi së është i kënaqur që shënoi përsëri.

SHTUBINA

GOLI – “Jam i gatshëm për skuadrën në çdo moment që të më kërkohet. Jo vetëm si lojtar me përvojë, por edhe si kapiten ndiej dyfish motivim. Me Dinamon ishte një tjetër miqësore me vlerë. Ishim përgatitur për të arritur më të mirën e mundshme. Motivimi si në përballjet zyrtare apo të fazës përgatitore duhet të jetë po i njëjtë”.

ECURIA – “Gjithkush mendon për ecurinë e vet për të parë ecurinë e përgjithshme. Rëndësi ka që e nisëm me intensitet lojën që nga minuta e parë e deri në momentin e golit në fund. Bashkëpunimi midis reparteve dha sinjalet e veta konkrete. Kemi punuar pa masë në këtë periudhë për të qenë të efektshëm. Paraqitja ishte e mirë jo se shënova unë, po gjithçka u meritua. Gjithmonë zbresim në fushë me besimin e plotë në forcat tona. Momentin e penalltisë nuk e prisja, por ndodhi dhe nuk u mendova shumë”.

DEDIKIMI – “Në të gjithë karrierën time, tregoj qetësinë e duhur që më ka shpërblyer më pas në anën më pozitive. Goli i radhës i dedikohet të gjithëve: nga presidenti, stafi e te familja, si mbështetja kyçe, si dhe deri te tifozëria e mrekullueshme. Do të jem gjithmonë vendimtar, si me gola, ashtu edhe në drejtime të tjera që Egnatia të jetë konkurruese”.

OBJEKTIVI – “Kemi qenë e do jemi ‘kockë’ e fortë për këdo. Nuk ka ndonjë pamje të veçantë se luajmë miqësore ose përballje zyrtare. Skuadra është ndërtuar që të dëshmojë çdo çast se nuk i mungon asgjë kundrejt kundërshtarëve. Egnatia sheh vetëm rrugëtimin e saj dhe asgjë tjetër”, deklaroi Shtubina.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"