I sapoardhur nga Prishtina, flet Khalid: Te Teuta për Europën dhe… karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2019 | 17:23

I sapoardhur nga Prishtina, flet Khalid: Te Teuta për Europën dhe… karrierën

Abdul Khalid zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, pas tri sezonesh me Prishtinën. Ai duket më se gati për startin me “djemtë e detit”.

basit abdul khalid teuta

23-vjeçari e ka kthyer fokusin e tij te largimi nga Kosova. Në intervistë për “Panorama Sport”, Khalid tregoi pse zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, ambientin që gjeti në skuadër dhe objektivat e sezonit.

Basit, cila ishte arsyeja e largimit nga Prishtina?

Arsyeja e largimit tim ka qenë se pas disa sezonesh kishte ardhur momenti për të ndryshuar ambient dhe të provoja një eksperiencë të re. Unë dua të falënderoj presidentin, drejtorin sportiv, stafin në tërësi, si dhe ish-bashkëlojtarët e mi që më kanë ndihmuar dhe mbështetur gjithmonë. U uroj suksese në këtë sezon të ri futbollistik.

Çfarë ju bindi të firmosnit me Teutën?

Arsyeja kryesore për të cilën isha i bindur të firmosja është fakti se Teuta është një ekip i madh dhe nuk e diskuton pjesëmarrjen në Europë. Plus kësaj, edhe dëshira ime ishte që të kaloja te Teuta. Këtu kam gjetur një ambient mjaft të mirë, pasi të gjithë shokët e skuadrës më afrojnë. Ambientimi me skuadrën nuk është i vështirë, duke qenë se çunat tregohen të mirë dhe i kam afër si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë.

Si e vlerësoni zgjedhjen për të luajtur me Teutën?

Besoj se është më e mira që kam bërë dhe shpresoj të shkoj mirë. Megjithatë, kjo do të vërtetohet më mirë kur të zhvillohet kampionati duke parë ecurinë e tij. Ndërkaq, jam i lumtur që do të vesh fanellën e Teutës.

Çfarë ofertash të tjera keni pasur gjatë kësaj periudhe?

Pas përfundimit të kampionatit të vjetshëm kam pasur disa oferta, ndër to dhe Teuta, por më me rëndësi ka qenë interesi i disa ekipeve nga jashtë. Fati donte që unë të vazhdoja përsëri në Shqipëri.

Sa e njihni kampionatin shqiptar, çfarë dini për të?

Të them të drejtën, është hera e parë që njihem nga afër me futbollin shqiptar dhe kam ardhur enkas për të jetuar këtë eksperiencë të re. Di që këtu futbolli është taktik dhe shumë i luftuar.

Teuta ka shpenzuar shumë për ju, jeni gati ta justifikoni me gola?

Është e rëndësishme që unë isha i lumtur që në fillim për të ardhur këtu. Jam profesionist dhe do të bëj maksimumin që të ndihmoj ekipin të ecë përpara dhe të bëj paraqitje sa më të mira me këtë fanellë.

Duke qenë se jemi te golat, sa mendoni se do të shënoni?

Për momentin, nuk mund të them asgjë, pasi do të ishte një premtim pa bazë. Dua të jap maksimumin në këtë skuadër dhe të bëj më të mirën.

Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës që klubi të arrijë synimet e tij, më pas normalisht që çdo futbollist është me mendimin të shkojë sa më lart, pse jo dhe një aventurë jashtë.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"