I riu që “vrau” frikën, sulmuesi i Besës: Doja vetëm që të futesha 5 minuta lojë, Kavaja ‘shtëpia e dytë’ e lojtarëve kosovarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2021 | 18:11

I riu që “vrau” frikën, sulmuesi i Besës: Doja vetëm që të futesha 5 minuta lojë, Kavaja ‘shtëpia e dytë’ e lojtarëve kosovarë

Besa ende nuk e beson që la dy pikë përballë Lushnjës. Një barazim nuk mund të jetë kurrsesi dramatik përballë një ekipi që pretendon, por jo kur dominon me lojë e raste. I tillë ishte rasti i kavajasve, që shpërdoruan me bollëk. Edhe pse kanë lojtarë me përvojë të madhe dhe që e njohin portën, Kaina & CO nuk kishin shënjestër atë ditë. Ishte Alsid Tafili që evidentoi se sulmuesit shfaqën shenja frike, e megjithatë leksion u dha një 19-vjeçar.leart zekolli

Një goditje spektakolare nga distanca e Leart Zekollit dhe gol. Sulmuesi zbulon për “Panorama Sport” se nuk e ka për herë të parë që shënon kështu. “U gëzova që bëra barazimin e ekipit. Kur isha në stol, po shikoja me keqardhje se si nuk po shënonim dot, me gjithë dominimin në fushë. Kisha besimin, se nëse do futesha në lojë, qoftë edhe 5 minuta, do të godisja portën në rastin më të parë që do më jepej. Brenda zonës së miqve, gjithnjë kishte mbi 10 lojtarë dhe ishte thuajse e pamundur të hyje me aksione normale. Kishim dy zgjedhje: ose të tentonim me kokë nga krosimet, ose të gjuanim nga jashtë zone. M’u dha një rast dhe nuk hezitova, godita e shënova. Nuk është rasti i parë që shënoj kështu.

Në Kosovë gjithnjë kam shënuar nga distanca. Nuk e kisha besuar që një 18-vjeçar të pritej aq mirë në një klub të madh si Besa. Që ditën e parë deri sot, kam ndier mbështetje dhe motivim që nga presidenti Bizhdili, trajneri Mërgjyshi, shokët, por edhe tifozët. Në këta muaj kam kuptuar që Besa vërtet është ‘shtëpia e dytë’ e kosovarëve. Këtë e kisha dëgjuar nga dhjetëra kosovarë, që më herët kanë luajtur këtu. Jam në fillimet e karrierës dhe detyra ime është të stërvitem fort, të mbaj regjimin dhe sa herë të më jepet shansi ta shfrytëzoj maksimalisht. Konkurrenca këtu është e madhe, por të rinjtë kanë fatin të mësojnë nga përvojat e Tafilit me shokë. Ndihem mirë që kam mjaft lojtarë moshatarë në ekip. Po mundohem të përfitoj sa më shumë. Suksesi i Besës do të rrisë dhe shanset që karriera ime të vijë në rritje”, përfundon kosovari.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"