I realizoi dygolësh Tiranës, Bledar Lila: Do sakrifikoj për Egnatian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2021 | 20:30

I realizoi dygolësh Tiranës, Bledar Lila: Do sakrifikoj për Egnatian

Egnatia në mbyllje të javës së dytë të fazës përgatitore zhvilloi një miqësore ndaj Tiranës. E veçanta mbetet se të besuarit e Maganit në pjesën e parë kaluan dy herë në avantazh me Bledar Lilën. Ky i fundit arriti të shfaqë cilësi e së bashku me pjesën tjetër të grupit aktual e përforcimeve të bëra sjell optimizëm për sezonin e ri.

lilaj

Për “Panorama Sport” autori i dy golave në testin me bardheblutë, Bledar Lila, është entuziast për ecurinë e tij tek Egnatia. “Më vjen mirë që debutova më dygolësh në përballjen e parë me fanellën e Egnatias. Nuk do ta harroj lehtë atë ditë të veçantë për mua në aspektin personal. Ashtu si gjithmonë, zbrita në fushë për të qenë i gatshëm për skuadrën. Ishte testi i parë për ne si skuadër pas një jave përgatitjesh intensive. Kam qenë dhe do të jem gjithmonë kërkues për të përfituar sa më shumë gjatë seancave stërvitore. Për faktin se që aty nis baza kryesore për të qenë i efektshëm në çdo rast për skuadrën si në miqësorë e duele zyrtare”, tha në fillim Lila.

Ky i fundit rrëfeu edhe golat. “Gjithmonë mundohem të jem fokusuar për ta mbuluar sa më mirë rolin që më është caktuar. Ndihem shumë falënderues dhe ndaj shokëve që në testin me Tiranën arrita të gjej dy herë rrjetën. Në fillim u përshtata me lojën që po bënin, por fati deshi që të gjej shumë shpejt golin. U çlirova pa masë, pasi çdo mundësi që të jepet duhet shfrytëzuar në futboll. Pas pasimit të marrë, godita direkt e festa ishte e përbashkët. Asnjëherë meritat nuk janë personale, por ndahen bashkërisht. Avantazhi na dha epërsinë në të gjitha drejtimet për të mos bërë hapa pas. Mobilizimi tërësor na u shpërblye me tjetër gol që s’e mendova se do të kishte përsëri autorësinë time. Përsëri bëra detyrën, po në rastin e dytë u përmbajta, duke treguar cilësitë e mia dhe të të gjithë skuadrës pa përjashtim.

Prezantimi ynë ishte perfekt mendoj, edhe me përgatitjet po shkojmë mirë. Trajnerët po na japin ngarkesa që kurdoherë të jemi të aftë t’i japim Egnatias forcën e vërtetë. Barazimi përfundimtar me bardheblutë na jep kurajën që të përmirësojmë akoma më shumë deri në nisje të sezonit. S’na mungon asgjë që të jemi solidë e në Superiore të jemi midis më të mirëve. Egnatia ka pritshmëritë e saj në kampionatin e ri që do të arrijë maksimumin e mundshëm. Shpresoj ta ndihmoj me gola sa herë të më krijohet mundësia. Tifozët meritojnë ta shohin sa më lart skuadrën e tyre të zemrës. Kudo që kam luajtur, synim ka qenë ecuria e përgjithshme, më pas aspekti personal. Golashënues? Mendoj të jem i efektshëm e të qëndroj me këmbë në tokë, që si klubi e unë të kemi suksese të njëpasnjëshme. Golat e parë si rrogozhinas ia dedikoj familjes e kujtdo që beson në aftësitë e mia”, mbylli Lila.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"