“I qetë me Inzagin, qëndrojmë konkurrues”, flet presidenti i Interit: Sezoni që mbyllëm ishte fantastik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 21:54

“I qetë me Inzagin, qëndrojmë konkurrues”, flet presidenti i Interit: Sezoni që mbyllëm ishte fantastik

Stiven Zhang ka parë Interin e tij të mbyllë një tjetër sezon, në të cilin edhe pse nuk ka fituar titullin, ka arritur të triumfojë në Kupën e Italisë dhe Superkupën. Pas mbledhjes së bërë me kryesinë dhe trajnerin Inzagi, presidenti i zikaltërve ka dhënë një intervistë për kanalin e klubit në të cilën ka treguar ndjesitë e këtij sezoni dhe planet për atë të ardhshmin, duke veçuar raportin me Simone Inzagin. 

STIVEN ZHANG

President, përfundoi një sezon emocionues për Interin dhe për të gjithë tifozët zikaltër.

Ishte një sezon i mrekullueshëm gjatë të cilit i shtuam dy trofe palmaresit tonë dhe avancuam edhe në Champions League përtej fazës së grupeve, duke u kualifikuar në fazën e 1/8-ave pas një kohe të gjatë. Për fat të keq nuk arritëm të fitonim titullin, por luftuam deri në fund. Pa dyshim që i dërgoj Milanit përgëzimet e mia, ashtu si të gjithë kundërshtarëve të tjerë me të cilët jemi përballur gjatë këtij kampionati. Jemi shumë të lumtur që kemi bërë tifozët tanë të festojnë dhe në përgjithësi ka qenë një sezon fantastik për ne dhe tifozët, që jam i sigurt që do ta kujtojmë gjatë.

Jeni takuar me trajnerin Inzagi dhe me drejtuesit për të nisur planifikimin e sezonit të ardhshëm. Është kjo një shenjë se shkëmbimi i ideve është çelësi i suksesit të Interit?

Sezoni sapo ka përfunduar, por ne nuk ndalojmë së punuari dhe tani mendojmë për të radhës. Objektivi ynë kryesor është të qëndrojmë konkurrues dhe të luftojmë për trofetë më të rëndësishëm, gjithmonë duke parë përpara dhe duke synuar maksimumin. Mbledhja ishte e dobishme për të gjithë ne, pasi duam të bëjmë edhe më mirë se në sezonin e kaluar dhe për këtë patjetër që duhet të punojmë.

Duke u bazuar te mbledhja, a mund të themi se Interi do të mbetet konkurrues dhe do të vazhdojë ciklin fitues për ta kthyer në një epokë pronësinë e “Suning”?

Ne filluam gjashtë vjet më parë punën tonë dhe në fund të vitit të kaluar fituam Skudeton. Këtë vit fituam kupën e Italisë dhe Superkupën dhe kjo tregon se jemi në rrugën e duhur. Vitet e fundit kemi arritur të përmirësojmë pozicionin tonë në renditje dhe kemi grumbulluar shumë pikë, gjë që tregon se lojtarët dhe stafi janë duke punuar në mënyrën e duhur. Në të njëjtën kohë dua të falënderoj të gjithë punonjësit që punojnë në zyra dhe ata që nuk shfaqen kurrë pasi e jona është një punë kolektive. Në çdo punë ka ulje dhe ngritje, por rëndësi ka që po ecim në rrugën e duhur dhe me motivimin që nuk na ka munguar kurrë. Në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë edhe sezonin e ardhshëm.

Ka rënë shumë në sy marrëdhënia juaj e veçantë me trajnerin Inzagi dhe meritat që i keni dhënë atij këtë sezon.

Mund t’ju them dhe juve atë që i thashë trajnerit para disa muajsh: puna me Inzagin më jep qetësi dhe është kënaqësi të punoj me një person si ai në këtë sektor. Është një njeri shumë inteligjent, një trajner i shkëlqyer siç e tregojnë edhe rezultatet. Është meritë e tij që mjedisi është i qetë si në zyra dhe në dhomat e zhveshjes. Kështu që sigurisht që do të vazhdojmë së bashku, është shumë i përfshirë në botën zikaltër dhe ka mbështetjen e tifozëve dhe të të gjithëve ne.

Cili është kujtimi më i bukur i sezonit që sapo u mbyll dhe cilat janë pritshmëritë tuaja nga ai i radhës?

Sa i përket sezonit të ardhshëm, sigurisht që objektivi është të jemi konkurrues dhe të arrijmë më shumë se në vitet e fundit. Qëllimi është gjithmonë të përmirësohemi, rezultatet sportive janë objektivi kryesor i klubit dhe gjithçka tjetër vjen si pasojë e tyre. Për më tepër, duke qenë se jemi një nga klubet më të rëndësishme të botës së futbollit, duhet që gjithmonë të jemi të qëndrueshëm në të gjitha nivelet. Sa i përket sezonit që sapo ka përfunduar, momenti më i mirë ishte rikthimi i tifozëve në stadium. Ishte emocionuese dhe e paharrueshme t’i shikoje ata të mbështesnin skuadrën dhe shpresoj që të jenë kaq të shumtë edhe në vazhdim për të na bërë të përjetojmë të njëjtat emocione.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"