I pëlqejnë picat dhe makaronat/ Portieri ganez i Tomorit, një bast i fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 23:56

I pëlqejnë picat dhe makaronat/ Portieri ganez i Tomorit, një bast i fituar

Që në momentin e parë kur Klement Boje ka mbërritur te Tomori gjatë merkatos së verës, të gjithë nxituan që ta vlerësonin si një portier me shumë perspektivë. 21-vjeçari ganez e tregoi këtë gjë me paraqitjen e shkëlqyer në javën e parë ndaj Besës.

tomori

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Klementi tregon pasionin dhe ëndrrën e tij për t’u bërë një portier me emër, si dhe aventurën e re në Shqipëri.

“Jam ndier mirë që në momentin e parë kur mbërrita në Berat, edhe pse nuk kisha asnjë njohuri për skuadrën dhe qytetin. Por nuk kam vënë në dyshim asnjëherë zgjedhjen time falë edhe insistimit të menaxherit tim. Javët e para më kanë shërbyer që të përshtatem me qytetin dhe skuadrën.

Të gjithë janë treguar mikpritës dhe të respektueshëm ndaj meje, duke më bërë të ndihem mirë në qytet dhe me Tomorin. Madje, më duket sikur kam një kohë të gjatë këtu. Komunikimi im me skuadrën është në anglisht dhe italisht, por nuk më mungojnë as miqtë afrikanë, çka e ka bërë më të lehtë qëndrimin tim në fushë dhe jashtë saj. Këtu më pëlqen gjithashtu dhe gatimi, ku ushqimi im më i preferuar janë picat dhe makaronat.

Jam i kënaqur me paraqitjen dhe uroj që në vazhdim forma ime të jetë e njëjtë, pasi dua të tregoj që Tomori nuk ka gabuar që më besoi vendin e titullarit. Me punën time jam i sigurt se do të jem deri në fund të kampionatit në rolin e portierit titullar. Pas pikës që morëm me Besën, bashkë me skuadrën po përgatitemi që ndaj Lushnjës të marrim fitoren, pasi duam të kënaqim edhe tifozët tanë në ndeshjen e parë sezonale në shtëpi. Po punoj që të paraqitem edhe më mirë se me Besën”, u shpreh “gardiani” ganez i Tomorit, Klement Boje.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"