I pathyeshëm në Korçë, Shkëmbi “kërcënon” Skëndebeun: Shpresoj të jetë fat dhe jo rastësi, dua sërish fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2019 | 14:22

I pathyeshëm në Korçë, Shkëmbi “kërcënon” Skëndebeun: Shpresoj të jetë fat dhe jo rastësi, dua sërish fitore

Bledi Shkëmbi nuk është mundur asnjëherë nga Skënderbeu. Trajneri i Teutës, në katër përballje që ka pasur me të shkuarën e tij në sezonin e kaluar, ka arritur të fitojë tri të tilla dhe barazuar një herë.

Shkembi

Stadiumi i Korçës i sjell fat ish-kapitenit bardhekuq, që prej një viti drejton durrsakët. Në dy ndeshjet e fundit Skënderbeu-Teuta të luajtura në Korçë, “djemtë e detit” kanë fituar nën drejtimin e Shkëmbit. Dje trajneri theksoi në konferencën për shtyp se shpreson që të vazhdojë ky fat në përballjet ndaj skuadrës së vendlindjes.

Bledi, jeni i kënaqur nga gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes në Korçë?

Pas ndeshjes së Kupës që zhvilluam në mesjavë, mendoj se gjendja është e mirë. Ndeshja e Kupës na dha mundësi t’u jepnim minuta disa lojtarëve që nuk i kanë pasur gjatë kampionatit. Sot (dje) zhvilluam stërvitjen e fundit dhe mendoj se jemi mirë. Shpresoj që në Korçë të jemi në maksimumin tonë.

Sezoni ka nisur me dy fitore dhe dy barazime. E prisnit këtë start apo mendonit se mund të bënit edhe më tepër?

Unë mendoj që duhet të kishim bërë më shumë në ndeshjen me Vllazninë. Jo më shumë për dy pikët që lamë, por për mënyrën se si luajtëm, sidomos në fazën sulmuese. Skuadra nuk bëri atë që ne kërkuam, por edhe fusha na pengoi pak. Gjithsesi, mendoj se kemi bërë një start pozitiv dhe shpresoj të kemi vazhdimësi.

Çfarë prisni nga ndeshja në Korçë?

Objektivi ynë është të shkojmë të luajmë për ta fituar ndeshjen. Kudo që të luajmë, ne duhet të paraqitemi në atë mënyrë loje për të tentuar fitoren. Kështu kemi luajtur edhe vjet, pavarësisht asaj çfarë kemi bërë gjatë lojës. Por, edhe nesër do të jetë një ndeshje që pavarësisht se nuk kemi përballë atë Skënderbe të lavdishëm, sërish mendoj që janë një ekip shumë i fortë. I ndoqa ndaj Tiranës dhe zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, ku ndoshta meritonin barazimin.

Duke njohur mentalitetin dhe stilin e lojës së Dajës, do të ndihmojë ky fakt në këtë duel?

Unë shpresoj që të më ndihmojë, por nuk është e njëjta gjë në atë që kam luajtur unë dhe tani si trajner. Patjetër, unë dëshiroj që ekipi im të luajë mënyrën e futbollit që ka luajtur Skënderbeu në vitet më të mira. Por, llogaritë bëhen me pikë. Pavarësisht kësaj, ambienti në Korçë, fusha dhe gjithçka të lejon të luash futboll të mirë dhe nëse je i zoti, e fiton ndeshjen.

Skënderbeu nuk ju ka mundur asnjëherë në sezonin e kaluar. Ju sjell fat Korça…?

(Qesh) Shpresoj të jetë fat dhe jo rastësi, por në futboll janë të tria rezultatet. Nuk do të doja që të thyhet ky fat, pra të vazhdojmë me fitore ndaj Skënderbeut.

Është kjo Teutë më e fortë se e sezonit të kaluar?

Kjo Teutë duhet ta tregojë javë pas jave në fushë se e fortë është në krahasim me vjet apo sezonet e kaluara. Llogaritë bëhen në fund, por edhe tabela e klasifikimit do të tregojë nëse është më e fortë

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"