I pakënaqur me rrogën në Angli, Reali dërgon “spiunë” për yllin e Sitit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2018 | 21:39

I pakënaqur me rrogën në Angli, Reali dërgon “spiunë” për yllin e Sitit

Merkato e dështuar për të afruar një lojtar të madh në Madrid ka bërë që drejtuesit e Realit të mendojnë për vitin e ardhshëm. Dhe emri “galaktik” këtë herë është pjesë e Mançester Sitit. Bëhet fjalë për sulmuesin Rahim Sterling, i cili edhe më parë ka qenë në orbitën e madrilenëve. Sipas “Sky Sport”, Florentino Perez ka zgjuar sërish interesimin për lojtarin e “qytetarëve”.

Sterling

Kampionët e Europës do të monitorojnë nga afër formën e 23- vjeçarit dhe mendohet se do të ketë “spiunë” në “Uembli” në ndeshjen mes Anglisë dhe Spanjës në Ligën e Kombeve në datën 8 shtator. Sterlingut i kanë mbetur edhe 2 vite kontratë dhe pavarësisht se po bisedon me Sitin për ta rinovuar atë, gjithçka ka ngecur dhe nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Dhe Reali ka shpresa që sulmuesi anglez të mos e rinovojë kontratën, duke parë që të gjithë të tjerët, De Bryjne, Fernandinjo, David Silva dhe Otamendi kanë firmosur për të vazhduar qëndrimin në Mançester.

Por duket se interesimi i Realit për të është i fortë dhe Florentino Perez kërkon të korrigjojnë gabimin që bëri në këtë merkato, duke shitur yllin e skuadrës Kristiano Ronaldo, por pa afruar asnjë tjetër me peshën që kishte portugezi. Nejmar, Mbape, Kejn, Ikardi, Hazard dhe të tjerë ishin emra, të cilët madrilenët nuk arritën t’i transferonin dot dhe drejtuesit tani kanë gati një tjetër plan për të përmirësuar skuadrën e Realit.

I PAKËNAQUR- Sulmuesi 23-vjeçar i “Tre Luanëve” nuk është shumë i kënaqur me pagën aktuale, pasi përfiton sa gjysma e De Bryjnes. Belgu firmosi për 6 vite të tjera me Sitin dhe do të marrë 350 mijë paund në javë, ndërsa Sterling tani përfiton 175 mijë paund. Kjo gjë ka bërë që ai të mendojë seriozisht të nisë një aventurë të re dhe Reali do të ishte skuadra e duhur. Vitin e kaluar me Sitin ai kaloi një nga sezonet më të mira të karrierës, duke shënuar 23 gola në 46 ndeshje dhe Siti fitoi kampionatin anglez me 100 pikë. Sigurisht që kontribut të madh pati edhe Sterling

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"