I mungon njeriu i besuar, Murinjo një ndeshje larg shkarkimit te Mançesteri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2018 | 22:51

I mungon njeriu i besuar, Murinjo një ndeshje larg shkarkimit te Mançesteri

Kanë përfunduar bonuset për Zhoze Murinjon. Mançester Junajtid i ka vënë kusht fitoren në ndeshjen e ardhshme kundër Bërnlejt, në të kundërt do të shkarkohet. Ky është lajmi i bujshëm që raporton “Daily Mail” nga kampi i “Djajve”.

Situata nuk është aspak e qetë pas dy humbjeve radhazi kundër Brajtonit dhe Totenhemit. Por, drejtuesit nuk u nxituan për të marrë një vendim drastik. Në mbledhjen që kanë bërë është vendosur që trajnerit portugez t’i jepet edhe një shans për të treguar që e ka grupin e lojtarëve me vete dhe mund ta rikthejë sërish Mançesterin te fitorja. Ditën e djeshme ekipi ka filluar stërvitjen për duelin e së dielës në transfertë ndaj Bërnlejt. Trajneri është duke menduar ndryshimet në formacion për ta rikthyer sërish te fitorja, diçka që do të qetësonte disi tifozët dhe lojtarët e Junajtid.

Murinjo

Por, pavarësisht rebelimit të Murinjos në konferencën për shtyp, ku u kërkoi gazetarëve që të kishin më shumë respekt për të pasi kishte fituar 3 tituj në Angli, thuhet se në skuadër atmosfera nuk është kaq e tensionuar. Sigurisht që buzëqeshjet kanë humbur dhe vihet re serioziteti për të mos dështuar në ndeshjen e radhës. Fitore ose në të kundërt trajneri i ardhshëm do të jetë Zinedin Zidan. Francezi po pret dështimin e Murinjos dhe është gati të nisë një aventurë të re në Mançester.

I MUNGON FARIA

Zhoze Murinjo nuk është i qetë, mbi të gjitha sepse në krahun e tij të djathtë nuk ka njeriun e besuar. Rui Faria ishte “truri” i tij dhe personi që e ndalonte shpeshherë të bënte gjërat që nuk duhej. Me të kishte punuar që nga Porto në vitin 2004, por ai u largua vitin e kaluar në rrethana që nuk u zbuluan kurrë. Faria e ndihmonte shumë Murinjon për përgatitjen e ndeshjeve dhe për analizimin e kundërshtarëve, ndërsa tani “Special One” duhet të merret vetë me gjithçka.

Karrik nuk e ka eksperiencën e duhur për të ndihmuar në anën taktike, pavarësisht se është një njeri i fortë për të bërë lidhjen mes lojtarëve dhe stafit. Për herë të parë, Murinjos i duhet të punojë pa Rui Farian dhe sigurisht që kjo gjë i rëndon në anën psikologjike. A do t’ia dalë dot trajneri “special” të kalojë këtë moment të vështirë apo do të marrë një goditje? Të dielën ndaj Bërnlejt do të kuptohet shumë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"