“I mundim me lojë, jo me forcë”, trajneri dhe kapiteni i Besëlidhjes duan “kokën” e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2021 | 11:12

“I mundim me lojë, jo me forcë”, trajneri dhe kapiteni i Besëlidhjes duan “kokën” e Dinamos

Besëlidhja pret të di elën Dinamon në Lezhë, në një ndeshje shumë të vështirë, pasi rivali i radhës kryeson renditjen në Grupin A të Kategorisë së Parë. Trajneri Sinan Bardhi dhe kapiteni Kledi Dibra kanë folur për “Panorama Sport” në prag të kësaj përballjeje, duke shprehur besimin e tyre se mund të fitojnë kundër bluve. Situata e lezhjanëve nuk është aspak e mirë në tabelën e klasifikimit, pasi pozicionohen të gjashtët dhe janë larg synimeve për elitën. Megjithatë, tashmë Besëlidhja kërkon fitoren, me synimin për të qenë pjesë e katërshes së parë e për të mbajtur gjallë shpresat.

Sinan Bardhi

TRAJNERI

“Me Dinamon jam i bindur se do të zhvillojmë një ndeshje model dhe do të dalim të fituar. Ekipi është i mobilizuar maksimalisht për ta përballuar me sukses kundërshtarin. Optimizmi im bazohet në tri ndeshjet e fundit, ku pavarësisht se nuk kemi arritur të fitojmë, kjo për shkaqe që nuk varen nga ne, kemi luajtur shumë mirë në fushë. Ne do të luftojmë që përballë Dinamos të triumfojmë me lojë korrekte, e jo me force. Për këtë i kemi të gjitha mundësitë. Jam i bindur se fazën e dytë do ta mbyllim mes katër ekipeve më të mira të grupit tonë. Derisa na lejon matematika, edhe ne do të bëjmë të pamundurën për të mos gabuar”, ka deklaruar trajneri i Besëlidhjes, Bardhi.

KAPITENI

Në të njëjtën linjë me trajnerin Bardhi është edhe kapiteni Dibra, i cili beson se këtë herë Besëlidhja nuk do të falë pikë në Lezhë. “Ndeshjen ndaj Dinamos po e presim qetësisht, si gjithë të tjerat, pavarësisht se diferenca e pikëve e bën të vështirë këtë takim për ne. Skuadra e ka potencialin për të fituar. Vijmë nga disa rezultate pa fitore në këto ndeshjet e fundit. Besëlidhja përballë Dinamos do të japë maksimumin dhe do të dalim nga fusha me fitore”, përfundoi Dibra.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"