I mrekulluar nga ajo që ka zbuluar në “Camp Nou”, rrëfehet Leva: “Topi i Artë”, më e lehtë këtu se te Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 19:55

I mrekulluar nga ajo që ka zbuluar në “Camp Nou”, rrëfehet Leva: “Topi i Artë”, më e lehtë këtu se te Bajerni

Konferenca për shtyp nga kampi i Polonisë për Robert Levandovskin është e përqendruar e gjitha te javët e para të aventurës së re me Barcelonën. Sulmuesi 34-vjeçar, i cili ka shënuar 11 gola në 8 ndeshjet e para zyrtare, tha se ndihet si një fëmijë me lodra të reja dhe është i surprizuar nga pritja e shkëlqyer e tifozëve në shkallët e stadiumit.

LEVANDOVSKI

“Nuk prisja që tifozët e Barçës të nisnin dhe të më thërrisnin emrin në ‘Camp Nou’. Më bën të ndihem sikur kam qenë te Barcelona për një kohë të gjatë”, tha sulmuesi, i cili nuk i dribloi pyetjet as për “Topin e Artë”, për të cilin u ndie i vjedhur kur nuk e fitoi dy herë, pasi shënoi një numër rekord golash, por në vitin e pandemisë “France Football” e anuloi, ndërsa një vit më vonë ia dha Mesit.

“E di që Barcelona është skuadra ku e kanë fituar shumica e lojtarëve dhe rruga është më e shkurtër aty sesa te Bajerni. Unë ndihem si një fëmijë që ka në duar lodra të reja. Që nga dita e parë te Barcelona e ndjeva se ishte vendi i duhur dhe koha e duhur. Ndihem shumë komod, jo vetëm për shkak të klubit, por edhe të atmosferës, shokëve, skuadrës. Të gjithë më trajtojnë mirë dhe gjithçka më bën të ndihem i privilegjuar”.

Edhe një herë tjetër ai konfirmoi se bëri zgjedhjen më të mirë duke preferuar të largohej nga kampionët e Gjermanisë, pavarësisht 8 sezoneve të pabesueshme në Mynih: “Firma me Barcelonën më rriti vetëvlerësimin. E di që duhet të isha një lojtar që do të bëja diferencën në fushë dhe nuk trembem nga ky rol. Ndihem shumë krenar për veten. Të rinjtë duan të flasin dhe nuk janë të ndrojtur për të bërë pyetje. Unë ndaj eksperiencën time me ta. Por nuk ndihem si guruja i tyre”.

Për përvojën në ndeshjen kundër Bajernit ai shton se qëllimi nuk ishte vetëm të fitonte, por edhe të shënonte, pavarësisht se e pranon pengesën emocionale: “Ndeshja kundër Bajernit ishte një leksion për ne. Përpara saj nuk mendonim se do të diktonim lojën. Treguam se mund ta bëjmë atë dhe krijojmë raste në ndeshje të vështira. Merituam të fitonim, ose të paktën të barazonim”.

Dhe në fund një batutë për fjalët e para në spanjisht që ka mësuar: “Kam mësuar të porosis ushqimin në restorant”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"