“I mposhtëm me personalitet e zemër”, Lautaro Martinez: Barça ishte jetë a vdekje, të mos ndalemi më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2022 | 23:37

“I mposhtëm me personalitet e zemër”, Lautaro Martinez: Barça ishte jetë a vdekje, të mos ndalemi më

Lautaro Martinez ishte pikëpyetja më e madhe e Interit gjatë përgatitjeve për Barcelonën, pasi gjendja e tij fizike nuk ishte optimale dhe dyshimi për ta hedhur në fushë qëndroi deri në minutën e fundit në mendjen e Simone Inzagit.

MARTINEZ

Por me Lukakun jashtë, argjentinasi shtrëngoi dhëmbët, për të luajtur atë ndeshje që vetë ai e përcaktoi si “jetë e vdekje” për fatin e Interit. Edhe pse nuk e gjeti vetë golin, sulmuesi iu gëzua fitores ndaj Barçës, mbi të gjitha për nivelin e kundërshtarit dhe më pas edhe për atë që pritet të sjellë kjo fitore në rrugëtimin e skuadrës zikaltër.

GJENDJA FIZIKE – “Duhet të them që nuk isha në gjendjen time maksimale dhe kjo gjë dihet tashmë, por nuk mund të mos zbrisja në fushë. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme, kishim nevojë për çdo burim të mundshëm dhe doja të isha patjetër i pranishëm për të ndihmuar shokët dhe për t’u dhënë një fitore të gjithë tifozëve tanë që na kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë”.

MOMENTI – “Për tri pikët kishim shumë nevojë. Ishte një moment kur rezultatet nuk po mbërrinin, edhe pse kemi punuar shumë për t’i mbërritur dhe tani jam shumë i lumtur. Duhet të merrnim një fitore në çfarëdo mënyre dhe erdhi me shumë zemër e personalitet. Shënuam në momentin e duhur dhe fituam një sfidë që ishte shumë e rëndësishme”.

BARCELONA – “Me ta ishte jetë a vdekje për situatën tonë, por edhe për ecurinë e mëtejshme në Champions League. U paraqitëm në nivelin e duhur, nuk është e lehtë të mposhtësh një ekip të tillë, por ne i anuluam, nuk i lejuam të bëjnë lojën e tyre. Nga ana tjetër, ne morëm shumë komplimente për lojën tonë, por skuadra është gjithmonë e njëjta, madje janë shtuar edhe lojtarë të tjerë cilësorë këtë verë”.

PIKËNISJA – “Kjo fitore duhet të na shërbejë si nisja e një serie pozitive rezultatesh. Ishte një betejë dhe të gjithë sakrifikuam shumë për t’ia dalë. Jam i bindur se të gjithë bashkë mund të gjejmë vazhdimësinë dhe të rikuperojmë të gjitha pikët që kemi lënë. Tani është momenti të fokusohemi në kampionat e më pas përsëri në Champions”.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"