“I mbyturi të mbyt”, Sheta bën apel për kujdes ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 22:42

“I mbyturi të mbyt”, Sheta bën apel për kujdes ndaj Dinamos

Besëlidhja luan të shtunën me Dinamon në Pezë-Helmës për javën e 17-të të kampionatit. Lezhjanët vijnë pas fitores 2-1 ndaj Burrelit dhe tashmë janë 5 pikë pas Kastriotit të vendit të parë. Si pretendete për t’u ngjitur në Superiore, skuadra e Plorit duhet t’i menaxhojë sa më mirë ndeshjet e mbetura, sepse diferenca me skuadrën e kreut është ende e madhe.

sheta beselidhja

Mbrojtësi Arian Sheta, i ardhur në Lezhë pikërisht nga Dinamoja në verë, për “Panorama Sport” shprehet: “Besëlidhja ia ka bërë vetes analizën kur eliminoi Partizanin kampion në fuqi të Shqipërisë, duke kaluar pritshmëritë. Objektiv final është ngjitja në Superiore, këtë e dimë mirë që me nënshkrimin e kontratës, por pa anashkaluar Kupën e Shqipërisë. Tani jemi të përqendruar te transferta ndaj Dinamos.

Emri i Dinamos dhe aktualiteti janë dy gjëra të ndryshme, por ndeshja duhet vlerësuar, sepse ‘i mbyturi të mbyt’. Duhet të luftojmë fort dhe me kujdes maksimal për të fituar. Sasia e pikëve nuk na lejon gabime dhe për më tepër ndaj Dinamos. Nuk janë njëlloj as ndeshjet dhe as skuadrat, por as ndeshjet kundër së njëjtës skuadër. Mendoj se ka rëndësi të jemi sa më racionalë në lojë. Pozitive për ne është se pjesa dërmuese e futbollistëve është në formë të mirë dhe ka dëshirë për fitore, kjo mjafton. Shkojmë në Tiranë për të fituar ndaj Dinamos. Besoj edhe te fati, pasi jo gjithçka varet nga këmbët tona”.

 Preng GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"