“I mbyllëm hesapet me gabimet”, Apolonia “fiksohet” me ngjitjen, Çako: Janë edhe 78 pikë në lojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2021 | 21:09

“I mbyllëm hesapet me gabimet”, Apolonia “fiksohet” me ngjitjen, Çako: Janë edhe 78 pikë në lojë

Janë në vendin e 12-të në renditje, por në Fier nuk demoralizohen. Katër pikë të grumbulluara janë vërtet pak për një ekip me pretendime, megjithatë tek Apolonia paralajmërojnë kthesën e madhe.

Endrit Cako

Është kapiteni Endrit Çako që e thotë prerazi këtë, gjatë një në interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Kur janë edhe 78 pikë në lojë dhe kampionati ka vetëm 4 javë që ka filluar, portieri as që ka në plan t’i humbasë shpresat.

Sa fatale ishte humbja me Tërbunin në shtëpi?

Normale që humbja në shtëpi ndaj Tërbunit djeg, por e rëndësishme është që nga kjo ndeshje të nxjerrim mësime. Të korrigjojmë çfarë nuk shkoi dhe gabime bëmë jo pak, për këtë jemi të vetëdijshëm.

A ju largon nga misioni ky hap fals?

Sa i përket objektivit, kampionati sapo ka filluar. Ka ende shumë ndeshje dhe 78 pikë në lojë. Kemi besim që Apolonia do t’i rigjejë rezultatet pozitive dhe do të ngjitet më lart në renditje.

Çfarë nuk shkoi si duhet në atë 90-minutësh?

Ekipi ka krijuar volum të madh loje, por nuk kemi qenë të qartë dhe të saktë në finalizim. Ishte një ndeshje delikate, ndonëse luanim në shtëpi. Tërbuni e ka nisur mjaft mirë kampionatin dhe ndoshta duhet të ishim më të vëmendshëm. Tanimë do të shohim përpara dhe do të përgatitemi për kundërshtarët e radhës.

Si është atmosfera në kampin fierak pas katër 360 minutave të para të Kategorisë së Parë?

Ekipi është në gjendje të mirë fizike, por mbi të gjitha psikologjike. Kështu që, do ta kalojmë shpejt zhgënjimin që la pas kjo ndeshje dhe do të vazhdojmë përpara për objektivin tonë. Ne kemi një synim të qartë dhe do t’ia dalim të arrijmë objektivin tonë sezonal.

Çfarë duhet të ndryshojë Apolonia në javët e ardhshme?

Siç e thashë edhe më sipër, ekipi ka krijuar shumë volum loje. Megjithatë, kemi çaluar te finalizimi. Po punojmë që edhe reparti i sulmit të krijojë besimin që i duhet para portës. Duhet t’i shfrytëzojmë më mirë rastet që krijojmë dhe të marrim maksimumin në ndeshjet e radhës. Nuk kemi pse të dorëzohemi. Thjesht duhet të punojmë shumë e të jemi të kujdesshëm në çdo moment të lojës.

Kjo pauzë për shkak të kombëtareve a ju ndihmon?

Mendoj që ky pushim na bën mirë pasi na ndihmon që të rregullojmë problemet që kemi shfaqur në këto pesë ndeshje të para, duke përfshirë këtu edhe Kupën. Trajneri Juri Kanarsa po na ndihmon shumë dhe ekipi do të rikthehet shpejt në formën e duhur në kampionat.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"