“I marrim pikë Tiranës”, ish-kapiteni Beqiri pret surprizën: Ekipi ka probleme fizike, Dedja ishte zgjedhja e duhur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2020 | 22:47

“I marrim pikë Tiranës”, ish-kapiteni Beqiri pret surprizën: Ekipi ka probleme fizike, Dedja ishte zgjedhja e duhur

Vllaznia do të sfidojë Tiranën nesër, duke rik thyer sërish në skenë “klasiken” shqiptare. Spektakli është i garantuar, ndonëse përballen dy ekipe që luajnë për objektiva krejt të kundërt. Bardheblutë nuk duan blof për të mos diskutuar titullin, ndërsa kuqeblutë duan t’i shmangen “play out”-it.

elvin-beqiri-konf-25-shkurt

Përtej pozitave, në Shkodër janë të bindur se do ia dalin. Këtë e thotë edhe ish-kapiteni Elvin Beqiri, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”. Trajneri aktual i Kombëtares U-17, analizon edhe gjendjen e ish-ekipit. Vlerëson emërimin e Dedjes, ndërsa shfaq rezerva për mënyrën se si iku Jonuz. Rrezikun e sheh ende prezent, ndërsa evidenton se lojtarët kanë probleme fizike.

Elvin, a ju kishte munguar futbolli gjatë karantinës?

Normalisht dhe jo vetëm neve që merremi dhe punojmë me këtë sport, por çdo tifozi i ka munguar futbolli. Ne shpresojmë që sa më shpejt edhe ato të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumeve.

Të ndalemi pak te Vllaznia, e cila po vuan jo pak postpandemisë. Sa mund të ndikojë ai barazim me Bylisin?

Jo vetëm këtë ndeshje, por edhe Teutës kam parë se i mungon përgatitja fizike te disa lojtarë. Ndërprerja ka ndikuar negativisht tek ata. Gjendja fizike lë për të dëshiruar.

Çfarë nuk shkoi si duhet me ballshiotët?

Me Bylisin skuadra nuk krijonte raste, por më shumë shqetësuese ishte mungesa e dëshirës dhe e presingut ndaj kundërshtarit. Për gjatë 90 minutave, Vllaznia bëri pak për të fituar.

Përmendët golat e munguar, por mënyra se si ndëshkohen nuk ju ka bërë përshtypje?

Golat janë momente të shpërqendrimit. Gabimi fillon që nga sulmi dhe nuk duhet që momenti i golit t’i lihet vetëm mbrojtjes. Pjesa e pandemisë ka lënë shumë pasoja. Megjithatë, këto lojtarë duhet që të mbledhin forcat dhe të japin maksimumin në këto javë që kanë mbetur. Pesha bie mbi ata që kanë eksperiencën më të madhe në grup, u mbetet atyre për detyrë që të menaxhojnë veten dhe po ashtu pjesën tjetër të lojtarëve.

Shumë ekipe janë stërvitur në fshehtësi gjatë pandemisë, ndërsa në Shkodër nuk ndodhi kjo gjë. A është logjike kjo?

Jo e drejtë nuk është. Duhej të ishte respektuar prej të gjithëve izolimi, ndaj ka pasur pabarazi.

Vllaznia është e 8-ta në renditje dhe rrezikon “play out”-in, e megjithatë Hysen Dedja nuk e diskuton mbijetesën…

Mendoj se ajo deklaratë e trajnerit Hysen Dedja është bërë më shumë për t’i dhënë moral skuadrës. Realiteti në fakt është ndryshe. Me këtë barazimin ndaj Bylisit, rrezikon shumë. Edhe nëse do të kishte fituar, sërish do të ishin në ato ujëra, pra nuk do ishin të qetë. E përsëris, pas këtij barazimi Vllaznia është shumë e rrezikuar sepse javë pas jave ndeshjet sa vijnë edhe vështirësohen.

elvin beqiri

Sa ka ndikuar largimi i Mirsad Jonuz nga stoli?

Personalisht kam respekt për Jonuz, e kam vlerësuar gjithnjë punën e bërë prej tij. Por mënyra se si largua nuk më ka pëlqyer. Duhej të ishte përshëndetur me skuadrën e stafin, e pse jo të ishte prononcuar edhe për gazetarët për problemet që ka hasur.

Ishte Hysen Dedja zgjedhja e duhur për stolin?

Ishte zgjedhja e duhur. Ka eksperiencën e duhur në Shkodër, si lojtar e trajner. Madje, ka fituar edhe trofe në të dy këto pozicione. Në momentet që është skuadra, pa dyshim që kishte nevojë për një trajner me përvojë të tillë, që mbi të gjitha njeh edhe mentalitetin e shkodranëve.

Nesër luhet “klasikja” shqiptare, a ka forca Vllaznia që t’i marrë pikët Tiranës kryesuese?

Tirana mban vendin e parë, por është edhe ekipi më në formë i kampionatit. Në kësi kushtesh, do të jetë e vështirë. Megjithatë, futbolli dhuron edhe të papritura. Vllaznia ndaj ekipeve të tilla si Tirana apo Partizani, gjithmonë ka bërë paraqitje të mira. Për mua do të ishte shumë e rëndësishme marrja e një pike në kryeqytet. Do të vlente shumë për moralin. Në përballje të tilla pastaj, lojtarët motivohen vetë. Unë shpresoj që të marrim ndonjë pikë.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"