“I marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, nuk bëjmë më gabimet e fazës së parë”, Hakaj: Duam seri fitoresh!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2021 | 13:14

“I marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, nuk bëjmë më gabimet e fazës së parë”, Hakaj: Duam seri fitoresh!

Mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Esin Hakaj, e shikon tejet pozitive situatën momentale te kuqeblutë. Sipas tij, fitorja ndaj Kastriotit, për më tepër me lojë bindëse, ka rritur moralisht ekipin në prag të startit të fazës së dytë të kampionatit. Ai beson te një fitore ndaj Laçit, që do të ishte edhe një vazhdimësi e mirë. Ai beson gjithashtu se skuadra do të përmirësohet në lojën mbrojtëse duke eliminuar në maksimum ato gabime që u vunë re në fazën e parë të sezonit.

hakaj

Fitorja ndaj Kastriotit duket se ka sjellë një klimë tjetër te skuadra. I vërtetë ky konstatim?

Ajo që mund të them është se te Vllaznia klima ka qenë përherë pozitive, pavarësisht se na kanë munguar rezultatet në tri ndeshjet para Kastriotit. Megjithatë, pas një fitoreje dihet se klima është edhe më e mirë. Për më tepër një fitore të jep qetësinë e duhur për vazhdimësinë.

A mund të jetë kjo fitore një shenjë e mirë që Vllaznia t’u rikthehet rezultateve pozitive?

Besoj se po. E thashë, çdo rezultat pozitiv na krijon një besim më të madh për vazhdimësinë. Përveçse fituam duke shënuar tri herë, treguam edhe një lojë të mirë.

Sërish skuadra pëson dhe nuk e mban portën të pastër. Ju vjen keq?

Sigurisht që më vjen keq. Ishte një gol që mund të ishte evituar. Pavarësisht fitoreve, kemi përsëri për të përmirësuar në mbrojte. Por dua të them se nuk është porta apo mbrojtja ajo që pëson, ashtu siç nuk është vetëm sulmi kur shënohet. Ne jemi një skuadër dhe kur pësojmë apo shënojmë, kemi përgjegjësitë dhe meritën e shënimit që të gjithë. Shpresojmë që në të ardhmen të riparojmë sa më shumë në këtë drejtim.

Të shtunën sërish në Shkodër, këtë herë përballeni me Laçin. Besoni në një tjetër fitore?

Laçi është një ekip me cilësi. Nuk ka skuadra të lehta në këtë kampionat, por dua të them se Laçi për çdo skuadër është një kockë e fortë. Do të jetë një ndeshje e luftuar, pasi përherë të tilla kanë qenë takimet mes nesh. Sigurisht që do të bëjmë më të mirën dhe patjetër do të kërkojmë vetëm fitore. Ky është objektivi ynë për këtë ndeshje.

Kalendari ju favorizon, sepse në 4 takimet e radhës, luani 3 në fushën tuaj. Si e shihni këtë?

Unë do të thosha se duhet që takimet t’i shikojmë njëri pas tjetrit. Të kalojmë me sukses Laçin, pastaj të shikojmë për të tjerat. Kemi tri ndeshje në shtëpi dhe duhet të kërkojmë pikët maksimale. Por, siç e thashë, t’i marrim ndeshjet me radhë. Të mendojmë më parë të kalojmë me sukses Laçin, pastaj të tjerat.

Çfarë duhet të bëjë më mirë për këtë ekipi për vazhdimësi?

Mendoj se duhet të eliminojmë ato gabime që bëmë në fazën e parë. Të marrim sa më shumë fitore. Do të ishte ideale të merrnim disa fitore radhazi, të jemi të qetë dhe të disiplinuar në fushë. Skuadra ka cilësi për ta arritur një gjë të tillë dhe unë besoj se nëse gjithçka na shkon mirë që në takimin me Laçin, mund të jetë një ogur i mirë edhe për vazhdimësinë.

Besoni se Vllaznia do të jetë më lart në fazën e dytë të sezonit?

Unë mendoj se mundësitë janë. Jemi të 3- ët në renditje, por mund të jemi edhe më lart. Mund të kishim bërë më shumë, por tani kjo s’ka vlerë. Duhet që të shikojmë përpara për t’u rikthyer në krye, ku skuadra qëndroi në pjesën më të madhe të sezonit të shkuar

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"