“I lumtur te Dinamo, ia shpërblej me gola”, braziliani Da Silva: I befasuar nga mikpritja, më gjenden për çdo gjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2020 | 23:05

“I lumtur te Dinamo, ia shpërblej me gola”, braziliani Da Silva: I befasuar nga mikpritja, më gjenden për çdo gjë

Fillimi i mbarë gjysma e punës”, kjo shprehje i ka ardhur për shtat Dinamos. Blutë, pas fitores në Kupë me Flamurtarin, e nisin mbarë edhe kampionatin. Me dy golat e Diogo da Silvës dhe Damiano Pontrelit fituan pastër ndaj Erzenit në Shijak. Është pikërisht braziliani, i cili rrëfen ekskluzivisht për “Panorama Sport” historinë se si ka ardhur në Shqipëri, çfarë synon të arrijë me Dinamon si dhe për nisjen e shkëlqyer, ku ka shënuar në dy takimet e para, në Kupë dhe kampionat.
118627600_10164240130680416_5550930414365342_n
“Jam i lumtur që e kam ndihmuar skuadrën me dy golat e shënuar në Kupë dhe kampionat, për të arritur objektivin. Ndihem mirë këtu dhe kam gjetur një grup perfekt. Natyrisht, me objektivin që ka klubi fitoret janë detyrim, kështu që dhe pritshmëritë janë të mëdha”, tha Da Silva.

Ambienti – “Unë vij nga një kontinent tjetër, me mentalitet të ndryshëm dhe nuk e njoh gjuhën, por kam mbetur i befasuar nga përgatitjet dhe niveli. Kam gjetur skuadër solide, një trajner dhe staf profesional. Më duhet të punoj më shumë për t’u përshtatur me mënyrën e lojës dhe të stërvitjes, sepse është i ndryshëm nga ai në Brazil. Kemi një grup fantastik me lojtarë punëtorë dhe pa fjalë, të mirë teknikisht. Lojtarë të rëndësishëm, të cilët kanë vërtet uri për të fituar kampionatin”, vijoi sulmuesi brazilian për gazetën.
da silva
SI ERDHI NË SHQIPËRI – “Unë vij nga Sao Paolo, Brazil, dhe aty kam nisur karrierën. Isha në përfundim të kontratës me klubin tim Macae, pas dy sezoneve të mira në Serinë A braziliane, kampionati Karioka. Duke u bazuar te kërkesa e klubit që të filloja një aventurë tjetër në Europë, mendova, pse jo, edhe në Shqipëri te Dinamoja. Nuk dua të hyj në detaje, por ishte dëshirë imja dhe e Dinamos që të isha këtu. Realisht nuk e prisja këtë mikpritje. Qyteti është i bukur, njerëz të mrekullueshëm që për problemin më të vogël të gjenden pranë. Dua të falënderoj stafin dhe shokët e skuadrës që më kanë pritur mirë. Dua t’i falënderoj drejtuesit për besimin. Synoj të bëj mirë me Dinamon dhe ta ndihmoj me gola ekipin për objektivat. Jam i gëzuar që jam në skuadrën e dytë më të titulluar në Shqipëri. Sa u përket golave, kam qëllimet e mia, por primare është skuadra, grupi, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të fitojmë. Jam i bindur që do të shkojmë mirë dhe jemi në rrugën e duhur”, përfundoi 25-vjeçar.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL


NDIQE LIVE "PANORAMA TV"