“I lumtur që më krahasojnë me Salihin”, Hygor i lë Zotin Cungut: Në Shkodër i qajnë… picat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 19:08

“I lumtur që më krahasojnë me Salihin”, Hygor i lë Zotin Cungut: Në Shkodër i qajnë… picat

U largua para dy muajsh nga Shko dra për një problem familjar në Brazil, që përfundoi me ndarjen nga jeta të nënës së tij, por Hygor Guimaraesh i befason të gjithë me perlën e tij në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Ndonëse ishte me 2-3 seanca stërvitore, ai menjëherë rrëmbeu skenën në Shkodër, duke shënuar një supergol, që për shumëkënd u quajt “alla Salihi”. Hygor nuk e njeh personalisht sulmuesin shkodran, por ndihet i vlerësuar, kur e krahasojnë me atë.hygor vllaznia

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, braziliani e pranon se goli ndaj Flamurtarit është më speciali në karrierën e tij dhe nuk e priste atë rikthim te Vllaznia. Padyshim që i ftohti nuk është për brazilianët, por ai vlerëson ushqimin në Shkodër, kryesisht picat dhe mikpritjen. I pyetur për atë që ka thënë në start të kampionatit Armando Cungu, tani në rolin e trajnerit të Laçit, Hygor nuk ka dashur të polemizojë me shprehjen “ia mbushi shejtani”.

Ai gjithçka e bazon te besimi që ka në Zot dhe më këtë term thumbon edhe trajnerin shkodran të kurbinasve. Me Zotin përpara, braziliani kërkon të tregojë veten edhe ndaj Laçit të Cungut. Në fund, 31-vjeçari flet edhe për largimin e brazilianëve nga Shkodra dhe për marrëdhëniet që ka me shokët e skuadrës.

Kishit dy muaj larg Shkodrës dhe futbollit, por kjo nuk ju pengoi që të shënonit një supergol. E mendonit që mund të shkonte kështu?

Nuk mund ta imagjinoja që kjo mund të ndodhte. Isha përgatitur që të shënoja dhe t’i dhuroja nënës sime një gol, por nuk e mendoja që do të ndodhte siç ndodhi. Për mua është një gol fantastik.

Sa herë që shënon, mendon që golat të jenë edhe të bukur. Cilin do veçonit si golin me të bukur në karrierë?

Është goli im më special në të gjitha kuptimet. Është goli më i rëndësishëm i jetës time. Jam shumë i lumtur.

Tifozëve shkodranë, pasi panë atë roveshatë, iu kujtua Hamdi Salihi. A e ka dëgjuar ndonjëherë Hygor Guimaraesh këtë emër? Nëse po çfarë dini për të?Hygor-Guimaraes-Goncalves-firme

Unë nuk e njoh personalisht, por e kam dëgjuar emrin e tij. Çfarë unë kam dëgjuar është se ai është një nga lojtarët e mëdhenj të Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare. E di që ka shënuar gola shumë të bukur me Vllazninë, klubet e tjera, si dhe me Kombëtaren. Unë jam i lumtur nëse dikush më krahason me Hamdi Salihin këtu në Shkodër, apo nëse përmes meje, tifozët kujtojnë golat e tij.

Skuadra mori një fitore të çmuar në shtëpi, pas gati 4 muajsh mungesë. E prisni të njëjtën gjë edhe ndaj Laçit?

Ju thashë javën e kaluar që ne jemi duke u përgatitur që të fitojmë gjithmonë. Por, nganjëherë është e vështirë dhe ne e dinim që edhe ndeshja ndaj Flamurtarit do ishte e vështirë. Gjithsesi, ne ishim stërvitur shumë për të siguruar fitoren.

Laçi drejtohet nga një shkodran, Armando Cungu. Në nisje të sezonit, kur ju shënuat golin e parë, ai tha që “ia mbushi shejtani”. Si do t’i përgjigjeshit tani që do ta keni edhe si kundërshtar?

Të jap përgjigje për çfarë? Trajnerin e Laçit? Jo, unë dua t’i jap një mesazh tifozëve dhe skuadrës sime. Unë e kam dëgjuar atë që ai ka thënë, që unë isha me shans në ndeshjen e parë ose në zhargon “e mbushi shejtani”. Unë punoj shumë dhe fort çdo ditë dhe çfarë ai e quan shans, unë e quaj se vjen nga Zoti.vllaznia hygor

A jetohet mirë në Shkodër?

Po, është një qytet shumë i mirë Shkodra. Tani në këtë kohë mua më duket e vështirë, sepse është shumë ftohtë. Unë qëndroj gjithë kohën në shtëpi, por gjatë verës, është qytet i mrekullueshëm.

Cila është gjeja që ju ka bërë më shumë përshtypje nga ky qytet, si për mirë, ashtu edhe për keq?

I ftohti nuk është një gjë e mirë, por ushqimi realisht është fantastik. Picat në Shqipëri janë të mrekullueshme, njësoj si picat italiane. Në Shkodër i “qajnë” picat. Ka edhe shumë gjëra të tjera të bukura, njerëz të dashur dhe mikpritës.

Asnjë nga brazilianët që erdhi në verë, nuk qëndroi. Ju vjen keq që mbetët i vetëm, apo është thjesht shenjë vlerësimi?

Në fakt, nuk është vendimi im që lojtarët e tjerë nga Brazili të qëndrojnë apo të largohen. Ata kanë luajtur disa ndeshje dhe unë mendoj se kanë qenë lojtarë të mirë, por kjo nuk është puna ime. Gjithsesi, për mua ishin djem shumë të mirë dhe i kam vlerësuar. Nuk e di cilat janë arsyet përse u larguan. Në ndeshjen ndaj Tiranës, ne luajtëm bashkë dhe besoj se kemi luajtur mirë. U uroj çdo gjë të mirë në të ardhmen. Sa për mua, do vazhdoj që të jap maksimumin dhe i falënderoj për besimin.

Cili është personi më i afërt që keni te Vllaznia?

Në fakt, mua më pëlqen e gjithë skuadra. Kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Nuk mund të veçoj asnjërin, sepse janë të gjithë shumë të mirë. Unë kam ardhur këtu që të luaj futboll dhe jo të bëj miq dhe të harrojmë fushën e lojës. Nuk mund të ndaj askënd, sepse kemi marrëdhënie të mira. Megjithatë, me Ramadanin, Alen Sherrin, Lekajn apo edhe Maksim Kojakaru vij çdo ditë në stërvitje, por nuk ka aspak rëndësi, sepse të gjithë më kanë pritur shumë mirë dhe i vlerësoj për këtë. Atmosfera është shumë pozitive dhe jemi një ekip i vërtetë, pa dallime.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"