“I lumtur për rinovimin e Arauhos, këtu jemi si një familje e madhe”, Ksavi: Barcelona, do finalen!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2022 | 14:28

“I lumtur për rinovimin e Arauhos, këtu jemi si një familje e madhe”, Ksavi: Barcelona, do finalen!

Barcelona do të luajë sot një ndeshje të rëndësishme në Europa Ligë, teksa do të vizitojë Frankfurtin. Trajneri Ksavi Hernandez ka paralajmëruar rrezikun e rivalit të nesërm (sotëm) duke thënë se kundërshtari është një ekip shumë fizik dhe shumë i rrezikshëm në tranzicione të shpejta.

KSAVI

Krahas kësaj, ai e ka bërë të qartë se edhe pse arrijnë në momentin më të mirë të sezonit, do të ishte gabim të relaksoheshin. Nga ana tjetër, trajneri ka vlerësuar edhe një herë Dembelenë dhe ka theksuar rëndësinë e tij në skuadër dhe gjithashtu ai e ka pritur mirë lajmin që Arauho praktikisht e ka mbyllur rinovimin.

“Do të jetë e rëndësishme, tani kemi shumë ndeshje, duhet të bëjmë rrotacion të detyrueshëm për të çlodhur disa lojtarë që kanë luajtur shumë në këtë fazë. Megjithatë, kjo nuk do të ndikojë në formacion”, tha ish-mesfushori i katalanasve që më pas shtoi:

“Jam shumë i lumtur për mënyrën se si po shkojnë gjërat, por kjo mund të shkojë keq dhe të futet në një dinamikë negative. Lavdërimet janë më të mira se kritikat, por ne nuk mund të ngatërrohemi. Unë kam nevojë që Barça të fitojë. Jam këtu për të ndihmuar klubin të rikthehet aty ku i takon dhe jo për lavdi personale”.

PËR DEMBELENË – Nuk di çfarë të them tjetër për Osmanin. Do të rinovoja menjëherë me të. Ne nuk kemi situatën më të mirë financiare dhe kjo dihet. Duhet të përshtatemi, vetëm kaq. Mateu punon 24 orë në ditë. Xhordi gjithashtu.

Shpresoj që ai të qëndrojë. Është thelbësore. Që skuadra të funksionojë e plotë duhet të kemi lojtarë të ndryshëm në krah dhe ai është një i tillë. Ai bën diferencën, në Bernabeu ai bëri një ndeshje të madhe.

MOMENTI I MIRË – “Ndihem shumë rehat. Unë kam një skuadër që po fiton dhe po luan në harmoni, e shoh këtë gjë në dhomat e zhveshjes. Feran mund të dështojë, por ai vazhdon të punojë për të bërë më të mirën. Ai ka shumë personalitet. Jam i kënaqur me grupin, dhomën e zhveshjes, ka një atmosferë të mirë, si domos tani pas fitoreve. Ne jemi familje”.

FRANKFURTI – “Na kanë thënë se atmosfera është fantastike. Ne kemi ardhur edhe nga një ndeshje e luajtur në Turqi. Nesër (sot) është një tjetër provë dhe mund të jetë një film tjetër. E vlerësojmë në maksimum kundërshtarin dhe do të përpiqemi të dalim të fituar nga ky duel dhe më pas të shohim se sa larg mund të shkojmë, sigurisht që objektivi është finalja”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"