I lindur për të habitur, Teo Hernandez është “anormali” i Milanit. Shënon edhe për… Piontekun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 22:18

I lindur për të habitur, Teo Hernandez është “anormali” i Milanit. Shënon edhe për… Piontekun

Më tepër se një mbrojtës. Teo Hernandez është goditja e vërtetë e merkatos së Milanit që zhgënjen në aspektin e renditjes. 

teo hernandez

Është ai kryegolashënuesi kuqezi, si Piontek, me tre gola, por asnjë nga pika e bardhë. Tre gola në transfertë për francezin, por ai i së dielës ishte më i rëndi në nivel pikësh. Paolo Maldini e bindi për projektin e “Djallit” gjatë një dreke në Ibiza në verën e kaluar.

Drejtuesit nuk patën frikë nga etiketat negative të 21-vjeçarit dhe tashmë po marrin frytet e para të punës së tyre. Festa e golit ndaj Parmës duke hequr fanellën i kushtoi një karton të verdhë dhe tashmë rrezikon një ndeshje pezullim në ndëshkimin e radhës.

theo hernandez

SI SERZHINJO – Brenda mureve të qendrës stërvitore të “Milanello”-s, Teo, sepse kështu i pëlqen ta thërrasin, konsiderohet si një profesionist ekzemplar. Për Marko Xhampaolon, mbrojtësi i lindur në Marsejë ishte taktikisht i papjekur. Ish-trajneri kuqezi nuk e kishte gabim, sidomos kur deklaronte: “Teos i pëlqen të shkojë”, duke iu referuar prirjes për të sulmuar të 21 futbollistët. Kjo prirje, për shumëkënd, kujton Serzhinjon, i cili nuk pyeste për udhëzimet e Zakeronit. Në këta muaj të parë italianë, Hernadez është përmirësuar. Faza mbrojtëse pranon ende korrigjime, por ndërkohë Pioli që i ka dhënë besim, i gëzohet nuhatjes së numrit 19.

ANORMAL – Teo nuk është një francez tipik, madje mund ta quajmë anormal, pa frikën se mund të ofendohet. Fillimisht për nga gjuha, flet më mirë spanjisht sesa frëngjisht, madje edhe intervistat në Itali i ka dhënë gjithmonë në gjuhën spanjolle. Në vend të qendrës së Milanos dhe modës, ka zgjedhur të banojë pranë liqenit të Komos, për t’u bërë një nder edhe qenve të tij, të cilët adhuron t’i shëtisë. Me babain nuk komunikon fare, ndërsa me mamanë është shumë i lidhur.

teo hernandez

Zonja Lorons (i kushtoi golin ndaj Parmës) fluturon gjatë gjithë kohës nga Milanoja në Mynih dhe anasjelltas, pasi edhe i vëllai, Lukas Hernandez, që luan te Bajerni, e do pranë vetes. Ëndrra e Teos është të luajë në kombëtaren e Francës së bashku me vëllain e madh. Deshamp nuk e ka grumbulluar kurrë, por nëse paraqitjet e mbrojtësit me Milanin vijojnë të jenë pozitive, trajneri kampion bote mund ta konsiderojë 21- vjeçarin. Ai duket i lindur për të habitur, pasi edhe kartoni i tij ka pësuar një rritje në vlerë, edhe pse kanë kaluar vetëm pak muaj. I blerë 20 milionë euro në gusht, tashmë Teo vlen të paktën 10 milionë më shumë. E si mund ta quash normal?

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"