I la “Selman Stërmasin”, Tirana “ngroh xhepat” nga Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2017 | 10:13

I la “Selman Stërmasin”, Tirana “ngroh xhepat” nga Partizani

Pas akordit të arritur dje, Tirana do të përfitojë financiarisht prej Partizanit. Stadiumi “Selman Stërmasi” do të jepet me qira deri në momentin që të përfundojnë punimet e impiantit që po ndërton klubi i kuq.

selman stermasi

Megjithatë, duke bërë një llogari të thjeshtë, vetëm për ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, që janë 9 të tilla, klubi do të arkëtojë një shumë të majme të hollash. Një takim që luhet pa drita ka një kosto prej 3 milionë lekësh të vjetër, ndërsa me projektorë është 1 milion lekë më shumë, pra 4 milionë në total (të vjetër gjithnjë).

Nga 9 javë që “demat” kanë të planifikuara në kalendar (për dy fazat që kanë mbetur për t’u luajtur) për të luajtur në kryeqytet, përfitimet për ndeshjet pa drita shkojnë në 27 milionë lekë, ndërsa me drita diçka më shumë, konkretisht 36 milionë lekë të vjetër.

Megjithatë, ende nuk dihet zyrtarisht se çfarë marrëveshje do të mbyllin palët dhe sa do të jetë i detyruar Partizani që të paguajë për një ndeshje. E sigurt është që në kontratën e qirasë që do të nënshkruajnë të parashikohen edhe klauzola që lidhen me dëmet që do të shkaktohen prej tifozëve, përfshi këtu stolat. Pra, Partizani do të jetë i detyruar që ta dëmshpërblejë Tiranës si posedues i këtij impianti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"